Atentat në Moskë, kush është zyrtari i lartë që tradhtoi Ukrainën dhe u sulmua në shtëpinë e tij
Negociatorët amerikanë dhe ukrainas kanë diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Moskës dhe Kievit deri në muajin mars, megjithëse afati mbetet i pasigurt për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi çështjen territoriale, raportoi Reuters duke cituar burime të afërta me bisedimet.
Sipas një kuadri të diskutuar mes palëve, çdo marrëveshje e mundshme paqeje do t’i nënshtrohej një referendumi kombëtar, i cili do të zhvillohej paralelisht me zgjedhjet në Ukrainë. Pesë burime me njohuri mbi çështjen, që folën në kushte anonimiteti, thanë se kjo ide është pjesë e skenarëve që po shqyrtohen.
Ekipi amerikan, i udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, u ka sugjeruar zyrtarëve ukrainas gjatë takimeve në Abu Dhabi dhe Miami se zgjedhjet do të ishte më mirë të mbaheshin sa më shpejt.
Sipas negociatorëve amerikanë, Presidenti Trump pritet të përqendrohet gjithnjë e më shumë në çështjet e brendshme ndërsa afrohen zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor, gjë që mund të kufizojë kohën dhe kapitalin politik të SHBA-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje.
Raundi i dytë i bisedimeve në Abu Dhabi përfundoi vetëm me shkëmbimin e 314 të burgosurve të luftës dhe një zotim për rifillimin e negociatave. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se një takim i ardhshëm trepalësh mund të zhvillohet së shpejti në Shtetet e Bashkuara.
Dy burime thanë se palët kanë diskutuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve dhe referendumit në muajin maj, por burime të tjera e cilësuan këtë afat si “imagjinar”. Autoritetet zgjedhore ukrainase vlerësojnë se organizimi i zgjedhjeve në kushtet aktuale do të kërkonte rreth gjashtë muaj.
“Amerikanët janë me nxitim”, tha një nga burimet, duke shtuar se megjithëse një votim mund të organizohet në një periudhë më të shkurtër, procesi mbetet kompleks dhe i kushtueshëm.
Mbajtja e zgjedhjeve do të kërkonte ndryshime ligjore, pasi ato janë të ndaluara gjatë gjendjes ushtarake. Ndërkohë, Ukraina kërkon një armëpushim të plotë gjatë fushatës, për të garantuar integritetin e referendumit, duke shprehur shqetësimin se Rusia nuk po respekton armëpushimet e rëna dakord më parë.
“Pozicioni i Kievit është se asgjë nuk mund të përparojë pa garanci konkrete sigurie për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj”, tha një burim.
Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë, ndërsa presidenca ukrainase dhe ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Top Channel