Mbi 120 pacientë paraqiten çdo ditë për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Fierit, si pasojë e virozave sezonale dhe gripit.
Mjekja Ilva Çuni flet për një fluks të lartë të prekurish mes grup-moshave 15–25 vjeç dhe 70–80 vjeç, ndërkohë që fatkeqësisht nuk kanë munguar as rastet me pasoja fatale.
Sipas mjekes Çuni, piku i gripit është shënuar gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ku numri i vizitave ditore në urgjencë ka arritur deri në 160 pacientë në 24 orë. Ajo thekson se muaji janar ka regjistruar një rekord qytetarësh që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, me rreth 4 mijë raste të trajtuara vetëm në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.
Mjekja nënvizon se gripi i këtij viti, krahasuar me një vit më parë, është karakterizuar nga një kohëzgjatje më e madhe e simptomave, si edhe nga rikthimi i tyre pas disa ditësh përmirësimi.
Më të prekur nga gjendjet virale kanë qenë pacientët me sëmundje kronike, një pjesë e të cilëve janë hospitalizuar. Në këtë kuadër, mjekja Çuni bën thirrje për kujdes të shtuar në përdorimin e antibiotikëve, të cilët duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut të familjes.
Top Channel