Berisha komenton vendimin e Kushtetueses për Ballukun: Edhe gjykata ka mëkatin e madh, i la dy muaj kohë që…

07/02/2026 12:27

Nga bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i PD Sali Berisha komentoi vendimin e Kushtetueses që la në fuqi vendimin e shfuqizimit nga detyra të zv. kryeministres Belinda Balluku.

Berisha tha se e vlerëson qëndrimin e gjykatësve, por sipas tij, edhe gjykata ka “mëkatin” që i la Ballukut dy muaj kohë për të falsifikuar provat.

“Pas 9 orësh, të ndryrë në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër, unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve.
Natyrisht gjykata ka mëkatin e madh sepse i dha Lubi Ballukut mbi 2 muaj kohë të fabrikojë dhe të falsifikojë çdo dokument. Por siç thotë fjala, më mirë vonë se kurrë. Me atë ndarje katër me katër, të paktën vendimi, kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave. Në fakt bashkë me Edi Ramën sepse ajo nuk kishte të bënte me Lubi Ballukun, ajo kishte të bënte me pezullimin e Edi Ramës nga detyra. Dhe ai donte të krijonte një mur nga gjykata.

Ky është një moment që dëshmon se populli opozitar duhet të shumëfishojë energjitë dhe forcat në këtë betejë gjer në largimin e Edi Ramës nga pushteti. Asnjë shqiptar nuk duhet të pranojë kurrë që për pasurimin me plaçkitje të Edi Ramës, familjes së tij, Lubi Ballukut dhe të tjerëve, të shkelmohet e ardhmja evropiane e fëmijëve tanë, e ardhmja evropiane e jonë.
Ju rikujtoj se pavarësisht nga reagimet që ka pasur, pavarësisht nga kritikat që mund të jenë bërë nga lobingjet e Edi Ramës apo të tjerë, por kemi paralajmëruar me kohë se Shqipëria me Edi Ramën nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kriter përveç pozicionit të saj gjeostrategjik.

Koha na dha të drejtë. Ata që i dëgjuan me skepticizëm, madje edhe me mospëlqim këto deklarata, u befasuan kur u përballën me situata shumë më të rënda se ajo që kishim parashikuar. Ndaj dhe nxorën opsionin nuklear të papërdorur kurrë që nga themelimi i BE, disa vende, zhbërjen totale të procesit të integrimit me Shqipërinë. Por jam i bindur se ju nuk do e lejoni këtë. Jam i bindur se kryengritja paqësore e juaj, e guximtarëve shqiptarë, do të rikthejë Kushtetutën, ligjin. Do të rikthejë votën shqiptarëve, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës”-u shpreh Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB