Vendimet/ Indeksimi i pagave, përfitojnë edhe punonjësit e administratës publike, Gardës, Policisë së Burgjeve dhe ata të sistemit shëndetësor

06/02/2026 22:06

Qeveria ka miratuar indeksimin e pagave për punonjësit e administratës publike dhe pushtetit vendor në vlerën 2.5% në bazë të inflacionit, me qëllim kompensimin e rritjes së çmimeve.

Siç edhe ishte parashikuar në buxhetin e vitit 2026, indeksimi do të niste që prej muajit janar, por vendimi është marrë këtë të premte.

Indeksimi i pagave do të prekë një sërë sektorësh, duke filluar nga shëndetësia, policia, garda, punonjësit e burgjeve dhe deri tek specialitetet e ndryshme në administratë.

Ndërkohë që më parë ky indeksim ishte planifikuar në buxhetin e vitit 2026, e reja është përfshirja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë indeksim prej 2.5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156,825 lekë, ndërsa në këtë shtesë përfshihet edhe presidenti, paga e të cilit do të arrijë në 435,625 lekë.

Për policët, punonjësit e burgjeve, të Gardës, ky indeksim do të aplikohet sipas gradave, me vlerën 2.5% të pagës së pozicionit.

Edhe punonjësit e sistemit shëndetësor, përfshirë këtu edhe mjekët, infermierët, punonjësit e shërbimit të urgjencës, teknikët e shkencave mjekësore, do të përfitojnë nga indeksimi, si dhe shtesa në pagë për orët shtesë gjatë ditëve të fundjavës ose pushimeve zyrtare.

Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç këtij indeksimi vjetor, do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë me përqindje që arrijnë nga 0.6%, 0.8% dhe 1% për vjetërsinë në punë nga 10-30 vite e më shumë.

Së bashku me pagën minimale që u rrit në janar, si dhe indeksimin, fondi i pagave për 2026, i përballuar nga buxheti i shtetit, arrin në 10 miliardë lekë, nga e cila pritet të përfitojnë mbi 140,000 punonjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB