Shpërthim në minierë ilegale në Indi, të paktën 18 minatorë humbin jetën

06/02/2026 08:03

Të paktën 18 minatorë kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas një shpërthimi në një minierë qymyri që operonte ilegalisht në shtetin Meghalaya, në verilindje të Indisë, njofton policia.

Operacionet e shpëtimit janë ende në vazhdim dhe autoritetet dyshojnë se disa persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën tokë. Shpërthimi ndodhi rreth orës 11:00 me orën lokale të enjten, në zonën East Jaintia Hills.

Sipas drejtorit të policisë së shtetit, Vikash Kumar, aksidenti ndodhi nga metoda jashtëzakonisht e rrezikshme që përdor dinamit për të hapur tunele shumë të ngushta, ku punëtorët detyrohen të punojnë të përkulur për të nxjerrë qymyrin.

Aktivistët thonë se kjo metodë vazhdon të përdoret në Meghalaya pavarësisht se ligji nuk e lejon.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka shpallur ndihmë financiare për familjet e viktimave si dhe për personin e plagosur.

Policia dyshon se shpërthimi brenda minierës është shkaktuar nga përdorimi i dinamitit. Miniera ndodhej në një zonë pyjore, rreth 72 kilometra larg kryeqytetit të shtetit, Shillong.

Deri tani janë nxjerrë 18 trupa nga miniera, ndërsa një person me djegie të rënda është shtruar në spital në Shillong. Autoritetet thonë se ende nuk dihet saktësisht se sa punëtorë mund të jenë të bllokuar nën tokë.

Policia ende nuk ka identifikuar pronarët dhe operatorët e minierës, ndërsa është hapur një çështje penale ndaj personave të paidentifikuar. Po ashtu, identiteti i viktimave nuk është konfirmuar ende.

“Kushdo që mban përgjegjësi do të përballet me masa të rrepta ligjore,” deklaroi kryeministri i Meghalaya-s, Conrad Sangma.

Disa banorë lokalë thanë se shumica e minatorëve të vrarë dyshohet të kenë qenë nga shteti fqinj Assam. Kryeministri i Assam-it, Himanta Biswa Sarma, u shpreh se nëse kjo konfirmohet, autoritetet e shtetit do të ofrojnë ndihmë të plotë për familjet e prekura.

Ky shpërthim është një nga aksidentet më vdekjeprurëse minerare në Meghalaya në vitet e fundit. Në vitin 2018, të paktën 15 minatorë u bllokuan në një minierë të ngjashme pasi uji i një lumi përmbyti tunelin. Operacionet e shpëtimit zgjatën me muaj; pesë persona shpëtuan, dy trupa u gjetën më vonë, ndërsa të tjerët u shpallën të vdekur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB