Paralajmëron OKB: Marrëveshja e azilit mes Britanisë dhe Francës rrezikon shkelje të rënda të të drejtave të njeriut

06/02/2026 15:33

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën të pezullojnë skemën kontroverse të azilit “një hyn, një del”, duke theksuar se ajo mund të çojë në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Në një letër 20-faqëshe drejtuar qeverive të Londrës dhe Parisit, ekspertët e OKB-së, ngrenë shqetësime të forta mbi trajtimin e azilkërkuesve që ndalohen dhe kthehen me forcë në Francë. Mes tyre përfshihen persona nga Sudani, Gaza, Eritrea, Jemeni dhe Irani, shumë prej të cilëve janë viktima torture dhe trafikimi.

Ekspertët theksojnë se ndalimi i të mbijetuarve të torturës mund të përbëjë trajtim çnjerëzor dhe degradues, ndërsa ka dështime serioze në mbrojtjen e personave me rrezik vetëvrasjeje. Në letër përshkruhen raste konkrete dhune gjatë ndalimit dhe deportimit, përfshirë përdorimin e forcës, kërcënimeve dhe mohimin e procedurave të rregullta ligjore.

OKB shpreh gjithashtu shqetësim për përzgjedhjen e paqartë të personave që ndalohen për t’u kthyer në Francë dhe për mungesën e garancive kundër ri-dëbimit të tyre drejt vendeve ku mund të përballen me rrezik për jetën.

Ekspertët u bëjnë thirrje dy qeverive që ta ndërpresin marrëveshjen dhe të sigurojnë politika migracioni që respektojnë plotësisht të drejtat e njeriut, pa krijuar situata të reja cenueshmërie apo përkeqësuar ato ekzistuese.

Autoritetet britanike, franceze dhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB