Trump zbut tonet për marrëveshjen e Chagos: Më e mira që Starmer mund të bënte

05/02/2026 21:08

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se do të pranojë marrëveshjen e arritur nga kryeministri britanik Keir Starmer për Ishujt Chagos, duke e cilësuar atë si “më të mirën që mund të bënte”, pavarësisht kritikave të ashpra që kishte shprehur më herët.

Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump tha se ka zhvilluar “diskutime shumë produktive” me Starmer lidhur me ishullin Diego Garcia, ku ndodhet një bazë strategjike ushtarake amerikane në Oqeanin Indian. Ai theksoi rëndësinë jetike të bazës për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Megjithatë, Trump paralajmëroi se Uashingtoni rezervon të drejtën të përforcojë praninë ushtarake në Diego Garcia, nëse në të ardhmen marrëveshja e qirasë dështon ose rrezikohen interesat amerikane.

Çfarë parashikon marrëveshja për Ishujt Chagos?

*Mbretëria e Bashkuar i dorëzon sovranitetin e ishujve Mauritiusit;

*Baza ushtarake e Diego Garcias do t’i jepet me qira SHBA-së për 99 vjet;

*Fuqive të treta do t’u ndalohet përdorimi i ishujve përreth pa marrëveshje;

*Mauritiusi lejohet të rregullojë kthimin e çagosianëve, përjashtuar Diego Garcian;

*Marrëveshja mund të zgjatet edhe për 40 vite të tjera;

*Kostoja vjetore parashikohet 101 milionë paund, ndërsa totali mund të shkojë deri në 30 miliardë paund;

*Marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet e Britanisë dhe Mauritiusit.

Ishujt Chagos janë në qendër të një debati të gjatë ndërkombëtar, pas vendimit gjyqësor që detyroi Londrën të heqë dorë nga sovraniteti, ndërsa Diego Garcia mbetet një nga pikat më strategjike ushtarake në botë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB