Sllovenia shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

05/02/2026 22:37

Qeveria e Sllovenisë po përgatit një projektligj që synon ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, njoftoi zëvendëskryeministri Matej Arkon gjatë një konference për shtyp të martën.

Sipas Arkon, iniciativa është marrë nga Ministria e Arsimit dhe do të mbështetet në përvojat e vendeve të tjera evropiane, ndërsa ekspertë të arsimit dhe teknologjisë dixhitale do të përfshihen në hartimin e ligjit, i cili synon mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Sllovenia, me rreth dy milionë banorë, ndjek shembullin e Spanjës dhe vendeve të tjera që kanë propozuar kufizime të forta ndaj përdorimit të mediave sociale nga të rinjtë, në një përpjekje për të frenuar efektet negative të teknologjisë që konsiderohet se krijon varësi.

“Është një çështje shumë e nxehtë në mbarë botën dhe në Evropë. Me këtë hap, ne tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë,” tha Arkon pas mbledhjes së kabinetit.

Qeveria sllovene synon të rregullojë veçanërisht platformat ku shpërndahet përmbajtje, si TikTok, Snapchat dhe Instagram.

Ndërkohë, Spanja ka propozuar ndalimin e mediave sociale për adoleshentët nën 16 vjeç, ndërsa Britania dhe Franca po shqyrtojnë masa të ngjashme. Australia, në dhjetor, u bë vendi i parë në botë që ndaloi aksesin në rrjete sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB