Tragjedi në Itali, orteku vret dy turistë në Bolzano
Një burrë i moshuar italian është nën hetim si pjesë e një hetimi nga prokurorët në Milano ndaj individëve që dyshohet se u kanë paguar anëtarëve të ushtrisë serbe të Bosnjës për udhëtime në Sarajevë, në mënyrë që ata të vrisnin qytetarë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.
Sipas The Guardian, 80-vjeçari po hetohet për akuzat e vrasjes së rëndë. I moshuari, një ish-shofer kamioni nga rajoni verior italian i Venetos, është i dyshuari i parë që vihet nën hetim që nga fillimi i hetimit në nëntor.
Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga granatimet dhe gjuajtjet me snajper midis viteve 1992 dhe 1996 në rrethimin më të gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia. Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim, sepse ata vrisnin njerëz në rrugë, përfshirë fëmijë.
Grupe italianësh dhe njerëzish të kombësive të tjera, të ashtuquajtur “turistë snajperë”, dyshohet se kanë marrë pjesë në masakër pasi u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit, ish-liderit serb të Bosnjës, i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit, për t’i transportuar në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të qëllonin mbi njerëzit për… kënaqësi.
Hetimi në Itali filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës Benjamina Karić. Gavazzeni tha se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth turistëve të dyshuar si snajperë në shtypin italian në vitet 1990, por vetëm pasi pa Sarajevo Safari, një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupanič, filloi të hetonte më tej.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor thanë se grupe perëndimorë do të qëllonin popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet janë mohuar me forcë nga veteranët serbë të luftës.
Duke folur për Guardian në nëntor, Gavazzeni tha se të dyshuarit italianë do të takoheshin në qytetin verior të Triestes dhe do të udhëtonin për në Beograd, nga ku ushtarët serbo-boshnjakë do t’i shoqëronin ata në kodrat e Sarajevës.
“Kishte një trafik turistësh lufte që shkonin atje për të qëlluar njerëz”, tha ai.
Top Channel