“Na ofendojnë si prokurorë”, debatet për sigurinë në Gjykatë, anëtarët e KLGJ: Futemi nga e njëjta derë me palët Fatmir Xhafaj nuk heq dorë nga kërkesa për të mbikëqyrur SPAK-un, pavarësisht refuzimit të Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë drejtimit të komisionit parlamentar, Xhafaj insiston që Kuvendi ka detyrën të shërbejë si çelësi lidhës ndërmjet pushteteve e të jetë hapësira e bashkëpunimit institucional, duke i dhënë një përgjigje indirekte Klodian Brahos që i mbylli derën me arsyetimin se vizita monitoruese e kërkuar kapërcen ligjin dhe pavarësinë e SPAK-ut.
“Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrsesi funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura dhe sidomos ndaj veprimtarisë së tyre dhe ndaj nuk kanë aspak karakter ndërhyrës të çdo natyre qofshin ato. Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar”, shprehet Fatmir Xhafaj.
Arsyeja pse u mblodhën të mërkurën ishte siguria në gjykata, marr shkas nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Të thirrura në seancë dëgjimore, KLGJ, KLP dhe Prokuroria e Përgjithshme ngritën alarmin për kërcënimin që ndjen aparati i drejtësisë gjatë ushtrimit të detyrës.
“Nga 20 gjykata u zbulua se vetëm 20% e tyre plotësojnë kushtet bazike në infrastrukturë dhe në garantimin e rendit dhe qetësisë”
Ilir Rusi, kryetar i KLGJ thotë se “duhen forca të dedikuara”.
“Gjyqtarët kalojnë në të njëjtat korridore me palët që janë në konflikt me njëri tjetrin, edhe pasi japin vendime. Duhet të ketë polici të dedikuar si karabinierët në Itali për institucionet e sigurisë”.
Në planin emergjent vlerësohet krijimi i organit policor të posaçëm për institucionet e drejtësisë për të zëvendësuar shoqëritë e sigurisë fizike, ndërsa u bë thirrje edhe për investime në godina të reja dinjitoze. Kërkesa që po shqyrtohen nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme.
“Një shembull është kampusi ku të kemi gjykatat , prokuroritë apo dhomat e provave në një sipas eksperiencave ndërkombëtare, po e adresojmë”, shprehet zv.ministri i Drejtësisë, Tedi Dobi.
“Në tre vite kemi pasur 23 incidente që ka ndërhyrë policia për zgjidhje”, tha Xhemal Qefalia, zv.ministri i Drejtësisë.
E nevojshme shihet edhe një paketë me ndryshime ligjore, që do të përpilohet pas tryezave gjithëpërfshirëse të konsultimit.
Top Channel