Bill Gates pjesë e dosjeve Epstein, reagon ish-bashkëshortja e miliarderit amerikan: Ka qenë periudha më e errët e martesës tonë

04/02/2026 12:18

Miliona dokumente të reja të lidhura me Jeffrey Epstein, financieri i dënuar për abuzime seksuale, kanë nxjerrë në pah emra të njohur, përfshirë Bill Gates.

Ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, ka reaguar duke i cilësuar dosjet si një kujtim të kohëve të dhimbshme të martesës së saj.

Në një intervistë për podcastin NPR, Melinda French Gates tha se dëgjimi i akuzave lidhur me Epstein e ka mbushur atë me “trishtim të pabesueshëm” dhe ka rikthyer kujtime të dhimbshme nga periudha e martesës me Bill Gates.

Ajo u shpreh se, megjithatë, ata që janë përmendur në dokumentet, përfshirë ish-bashkëshortin e saj, duhet të japin shpjegime dhe përgjigje për këto akuza.

“Jam kaq e lumtur që jam larg nga kjo baltë”, tha ajo, duke reflektuar mbi ndarjen e saj nga Bill Gates në vitin 2021 pas 27 vitesh martesë.

Një nga akuzat e reja që janë bërë publike nga dosjet e departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve është ajo që Epstein pretendon se Bill Gates ka marrë një sëmundje të transmetuar seksualisht. Nga ana tjetër, një zëdhënës i Bill Gates e ka quajtur këtë pretendim “plotësisht të absurd” dhe “krejtësisht të pavërtetë”.

Në një komunikatë të lëshuar nga zëdhënësi i tij, ai shtoi se këto akuza vijnë nga një “gënjeshtar i dëshmuar” dhe se nuk kanë asnjë bazë të vërtetë.

Megjithatë, Melinda French Gates shprehu se ky nuk është i vetmi moment që e ka trishtuar lidhur me ish-bashkëshortin e saj dhe lidhjet e tij me Epstein. Ajo pranoi se gjatë martesës së saj, kishin pasur shqetësime për marrëdhënien e Bill Gates me Epstein, por kjo është përballuar me shumë vështirësi dhe dhimbje. “Për mua është shumë e vështirë kur dalin në pah këto detaje, sepse ato sjellin kujtime të kohëve shumë të dhimbshme,” tha ajo në intervistën e saj.

Për sa i përket akuzave ndaj Bill Gates, një zëdhënës i tij shpjegoi se “dokumenti i fundit tregon vetëm frustrimin e Epstein-it, pasi ai nuk arriti të mbante një lidhje të vazhdueshme me Gates dhe përpjekjet që ai bëri për ta dëmtuar dhe shpifur atë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB