Vajza e Lasgush Poradecit shpërthen në lot: Hajdutët na vodhën, prej 35 vitesh sillen në mënyrë mizore me figurën e babait tim
03/02/2026 14:42
Me një reagim të ashpër, Marie Poradeci, vajza e shkrimtarit të madh Lasgush Poradecit, ka treguar në “Shqipëria Live” se në Vjenë do organizohet një event për shkrimtarin por familja nuk është ftuar.
Maria ka treguar në emision sesi ka ardhur njoftimi se do të vendosej një pllakë në vendin ku Lasgushi ka jetuar në Vjenë, por jo ftesë për të.
Sipas saj, prej 35 vitesh bashkia e Pogradecit po tallet me babanë e saj të ndjerë, Lasgush Poradecin, që është nderi i qytetit të tij të lindjes dhe i Shqipërisë.
“Para dy-tre ditësh mora një njoftim nga ambasadori ynë në Austri, që më njoftonte se vendosej një pllakë përkujtimore në Austri ku ka banuar babai im për 10 vjet. Unë e pyeta: ‘Ky njoftim shërben si ftesë?’ Thotë: ky është informacion. Unë, siç e mora njoftimin, e vura te faqja ime dhe më merr nënkryetarja: blie biletën, se ta paguan kryetari. I thashë: me kë po flet, keni për detyrë të më sillni ftesë. Nuk kam dalë as për viktimë, as për këtë për të kërkuar lëmoshë. Nëse e ka organizuar ambasada jonë në Austri, le të më sjellë ftesë. Duhet ta sillnin ftesën. Të gjithë informacionin, edhe atje ku do vendoset pllaka, e kam dhënë unë.
Edhe në këtë prizëm, meritoja të isha atje, jo vetëm si vajza e Lasgush Poradecit. Ajo që më ka indinjuar, atje ka njerëz që nuk duhet ta përfaqësojnë babain tim ose të gëzojnë mbi eshtrat e babait tim, janë bashkia e Pogradecit. Kanë 35 vite që sillen në mënyrë më mizore me babain tim. Në ’98, Pallatit të Kulturës iu vu emri “Lasgush Poradeci”, këtë pllakë e zbuloi Ismail Kadare. Ishte ngjarje e shënuar, jo që e thyen, e zhdukën, por kanë vënë ca gërma, i kanë marrë niptin dhe vulën dhe kryetari e ka bërë si qendër multifunksionale. E kanë eliminuar emrin e babait tim. Në vitin 2005 u vendos një shtator, me kalimin e kohës u konsumua. Dy vjet ku nuk kam folur, ku nuk e kam ngritur zërin, nuk ma ka dëgjuar njeri zërin. Shtëpia e babait tim, jo që nuk u bë muze, por u kthye në hajdutllëk. Vetëm fjalë, gënjeshtra dhe tallje” – u shpreh ajo.