Të akuzuar për shpërdorim detyre/ Gjykata e Posaçme kalon për gjykim kryetarin dhe zv/kryetarin e Bashkisë së Tropojës

02/02/2026 11:13

Gjykata e Posaçme pranoi në seancë paraprake kalimin në gjyq themeli të kryebashkiakut Rexh Byberi dhe zëvendësit të tij, nënkryetarit Abedin Kërnaja.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se vendimi u dha në seancë me dyert të mbyllura duke pranuar aktet e SPAK që ka ngritur akuza ndaj dy funksionarëve të bashkisë Tropojë.

Sipas hetimeve të SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Byberi dhe Kërnaja kanë shkelur ligjin në miratimin e dy vendimeve në Këshillin Bashkiak për ndërtimin e rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 277 milionë lekësh.

Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, totalisht ndërtim i ri i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.

Sipas SPAK, hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, pasi për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, dhe të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB