“Sondazhet thonë se duhet të marrim pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale”, Ina Zhupa në mbledhjen pa media të grupit të PD: S’kemi pse e braktisim

02/02/2026 16:26

Edhe Ina Zhupa ka dalë kundër bojkotit të Komisioneve, duke deklaruar se nuk duhet lënë hapësirë bosh në atë të Territoriales.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, gazetarja e Top Channel Elda Menga, mëson se deputetja e PD, Zhupa, është shprehur se edhe sondazhet tregojnë se ata duhet të marrin pjesë.

“Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona, që qytetarët të na dëgjojnë se si e duam ne reformën territoriale t’u shërbejë atyre.

Ata do ta kenë më të vështirë të na kundërshtojnë, sepse nuk kanë argumente, por e kanë shumë të lehtë ta kalojnë pa ne, sepse thonë: “Ju nuk ishit”, dhe kështu janë rehat. Unë i kam pyetur qytetarët e zonave të mia dhe më thonë merrni pjesë. Ju ftoj dhe të bëni një sondazh do ju dali që thonë merrni pjesë. Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo do të ketë rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët, duke bërë propozime konkrete.

Ne duhet të jemi shumёdimensionalë, edhe protestat t’i bëjmë, edhe në reforma të jemi prezentë, edhe analizën, edhe zgjedhjet. Jemi parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale; nuk kemi pse të ndjekim vetëm një rrugë dhe të braktisim të tjerat”, ka deklaruar ajo.

Top Channel