Raund i ri bisedimesh trepalëshe me Rusinë e SHBA, Zelensky: Amerika ka rol kyç

02/02/2026 13:30

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se një raund i ri bisedimesh trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të mbahet më 4–5 shkurt në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ky takim vjen në një moment të tensionuar, pas një vale të re sulmesh ajrore ruse që goditën objektiva civile në Ukrainë. Në fjalimin e tij të përnatshëm, Zelensky pohi më herët tha se është arritur një marrëveshje për zhvillimin e takimit “në një nivel të përshtatshëm” të mërkurën dhe të enjten në Emiratet e Bashkuara Arabe, njësoj si herën e kaluar.

Fillimisht, kishte paqartësi për zhvillimin e bisedimeve, të cilat ishin planifikuar për 1 shkurt në Abu Dhabi, ndërsa Zelensky kishte deklaruar më 31 janar se pala ukrainase ishte e gatshme, por po priste konfirmim nga Uashingtoni. Si fillim, nga sa shpjegoi ai, ka planifikuar një takim më 2 shkurt me Rustem Umerovin, negociatorin kryesor të Kievit, për të rënë dakord mbi kornizën e bisedimeve dhe për të përgatitur detajet finale. Sipas tij, në mbrëmjen e po asaj dite, delegacioni ukrainas do të nisej drejt Emirateve.

Zelensky theksoi gjithashtu se muaji shkurt do të shënojë një periudhë intensive të angazhimit diplomatik të Ukrainës, me kontakte dhe takime të shumta ndërkombëtare.  Presidenti ukrainas u shpreh se pret një angazhim të shtuar edhe nga pala amerikane, veçanërisht në drejtim të masave për shtensionimit të situatës dhe reduktimit të sulmeve. “Shumë varet nga ajo që do të arrijë pala amerikane, në mënyrë që njerëzit t’i besojnë si procesit, ashtu edhe rezultateve,” tha ai. Zyrtarët amerikanë dhe rusë nuk reaguan menjëherë ndaj deklaratave të Zelenskyt.Negociatat e drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës, me praninë e përfaqësuesve amerikanë, rifilluan më 23–24 janar në Abu Dhabi, duke shënuar një nga përpjekjet e rralla për dialog që nga pushtimi i plotë rus në shkurt të vitit 2022. Më 30 janar, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, u takua në Miami me negociatorin rus Kirill Dmitriev, duke i përshkruar bisedimet si “produktive dhe konstruktive.

Megjithatë, pavarësisht sinjaleve pozitive diplomatike, sulmet ajrore ruse vazhduan në të gjithë Ukrainën, duke goditur infrastrukturën civile dhe energjetike, ndërsa vendi po përballet me temperatura ekstreme deri në minus 30 gradë Celsius.

 

 

Top Channel