Deklarata e Tetovës pas disfatës me Tiranën, Shoqata e Arbitrave i përgjigjet trajnerit të rrogozhinasve: Doni të justifikoni rezultatin

01/02/2026 21:38

Shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit” ka reaguar ndaj deklaratave të trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, pas humbjes 0-1 ndaj Tiranës, ku tekniku i rrogozhinasve akuzoi hapur arbitrimin dhe pretendoi për dy penallti të mohuara.

Pas ndeshjes, Tetova u shpreh se ekipi i tij kishte dominuar lojën, por u penalizua nga vendime të padrejta të gjyqtarëve, duke theksuar se ishte ndeshja e katërt radhazi ku, sipas tij, Egnatias nuk i akordohet një penallti. “Jo çdo prekje në zonë për lojtarët e Tiranës është faull, ndërsa për ne loja vazhdon. Është shumë e turpshme,” deklaroi Tetova, duke kërkuar drejtësi dhe barazi në arbitrim.

Në reagimin e saj zyrtar, Shoqata e Arbitrave shpreh shqetësim për deklaratat e përsëritura publike të Tetovës, të cilat, sipas saj, vënë në shënjestër arbitrimin dhe dëmtojnë imazhin e arbitrave shqiptarë. Shoqata i cilëson akuzat si të pabazuara dhe si një përpjekje për të justifikuar rezultatet sportive, duke zhvendosur përgjegjësinë jashtë fushës së lojës.

“Arbitrimi ushtron detyrën e tij me profesionalizëm dhe paanshmëri, në përputhje me rregulloren në fuqi,” thuhet në reagim, ndërsa i bëhet thirrje klubit të Egnatias dhe të gjitha klubeve që të tregojnë përgjegjësi institucionale në komunikimin publik dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një klime respekti në futboll.

Reagimi i plotë:

Shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptar të Futbollit” shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklaratat e përsëritura publike të trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, të cilat për disa javë radhazi vënë në shënjestër arbitrimin dhe dëmtojnë imazhin e arbitrave shqiptarë.

Akuzat e vazhdueshme dhe të pabazuara përbëjnë një përpjekje për të justifikuar rezultatet sportive, duke transferuar përgjegjësinë jashtë fushës së lojës. Arbitrimi ushtron detyrën e tij me profesionalizëm dhe paanshmëri, në përputhje me rregulloren në fuqi.

Shoqata jonë i bën thirrje klubit të Egnatias të reflektojë mbi mënyrën e komunikimit publik dhe të kontribuojë në ruajtjen e klimës së respektit në futboll. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjitha klubeve që të tregojnë përgjegjësi institucionale dhe të respektojnë rolin e arbitrave si pjesë e pandashme e lojës.

Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar do të vijojë të mbrojë dinjitetin dhe integritetin e arbitrave shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB