Shembet miniera në Kongo/ Të paktën 227 të vdekur, mes tyre gra dhe fëmijë
Protestat kundër operacioneve të Zbatimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) janë përhapur në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ndërsa zyrtarët e Minesotës kundërshtojnë hapur administratën Trump pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë nga agjentë federalë.
Të premten, restorantet mbetën bosh, bizneset ulën qepenat dhe nxënësit munguan në shkolla në disa qytete të vendit, në kuadër të një greve mbarëkombëtare në shenjë proteste ndaj goditjes federale të imigracionit në Minesota.
Thirrja e organizatorëve ishte e qartë: “Pa punë, pa shkollë, pa pazare”, duke sjellë anulime mësimi, marshime dhe tubime proteste nga Kalifornia në Karolinën e Veriut dhe deri në Maine.
Në Minesota, protestat hynë në javën e dytë radhazi, pas njoftimit të Departamentit të Drejtësisë se do të hapë një hetim për të drejtat civile mbi vrasjen e Alex Pretti-t, i cili u qëllua për vdekje nga agjentë federalë.
Pretti është viktima e dytë këtë vit në shtet, pas vrasjes së Renee Good më herët në janar. Dy ngjarjet kanë ndryshuar ndjeshëm debatin kombëtar mbi zbatimin e ligjit të imigracionit dhe kanë rritur presionin ndaj Shtëpisë së Bardhë.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, reagoi ashpër, duke deklaruar se banorët e shtetit ende nuk kanë parë ndryshime reale nga administrata federale.
“Veprimet flasin më shumë se fjalët,” shkroi ai në rrjetet sociale, edhe pse Shtëpia e Bardhë ka lënë të hapur mundësinë e tërheqjes së disa agjentëve nga Minneapolis.
Tubime solidariteti u zhvilluan edhe në qytete të tjera, përfshirë Baltimore-in, ku protestuesit dolën në rrugë kundër veprimeve të ICE-së dhe përplasjesh fatale ku janë përfshirë agjentë federalë.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim për të drejtat civile mbi vrasjen e Prettit. Hetimi po drejtohet nga FBI-ja dhe do të shqyrtojë nëse agjentët federalë shkelën ligjin gjatë ndërhyrjes.
Blanche theksoi se bëhet fjalë për një “hetim standard” dhe jo për një proces të zgjeruar masiv.
Arrestimi i gazetarëve ndez reagime për lirinë e shtypit
Tensionet u rritën edhe më tej pas arrestimit të ish-prezantuesit të CNN, Don Lemon, dhe gazetares së pavarur Georgia Fort, gjatë mbulimit të një proteste në një kishë në St. Paul.
Lemon u akuzua për komplot për shkelje të të drejtave kushtetuese dhe për shkelje të Aktit FACE. Ai u lirua pas paraqitjes në gjykatë dhe deklaroi se do t’i luftojë akuzat.
“Nuk ka moment më të rëndësishëm për një media të lirë se ky,” tha ai.
Arrestimet kanë shkaktuar dënim të gjerë nga organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe nga figura politike.
Padi kundër ICE dhe lëvizje politike në Nju Jork
Ndërkohë, mbrojtësit e të drejtave të emigrantëve kanë ngritur një padi në Boston kundër një politike të ICE-së që lejon hyrjen në banesa pa urdhër gjyqësor.
Në Nju Jork, guvernatorja Kathy Hochul ka propozuar legjislacion për të ndaluar bashkëpunimin mes policisë lokale dhe ICE-së, duke synuar veçanërisht programin federal 287(g).
Top Channel