Lookman sërish në qendër të merkatos/ Atletico tërhiqet, Fenerbahçe ende në lojë

31/01/2026 15:19

Çdo afat kalimtar sjell të njëjtin skenar: duket momenti i duhur për largimin e Ademola Lookman, por në fund gjithçka mbetet pezull. “Telenovela” Lookman tashmë është kthyer në një klasik të merkatos dhe edhe këtë herë emri i sulmuesit të Atalantës është ndër më të përfolurit.

Pas tensioneve të verës me Interin, interesimi për nigerianin është rindezur në ditët e fundit të merkatos. Disa klube kanë kontaktuar Atalantën për të mësuar kushtet e një transferimi të mundshëm, por dy pista kanë qenë më konkrete: Atlético Madrid dhe Fenerbahçe.

Atletico tërhiqet nga gara

Atletico Madridi e kishte monitoruar Lookman që gjatë verës, përpara se të orientonte zgjedhjen drejt Nico Gonzalez të Juventusit. Pas shitjes së Raspadori-t, emri i Lookman u rikthye sërish në tryezën e drejtuesve madrilenë, por në orët e fundit spanjollët duket se kanë ndryshuar strategji.

“Colchoneros” janë fokusuar te afrimi i një sulmuesi qendre dhe jo një anësori, me objektiv kryesor Marcos Leonardo, sulmuesi brazilian në dalje nga Al Hilal i drejtuar nga Simone Inzaghi. Një marrëveshje e mundshme për brazilianin do të mbyllte përfundimisht derën për transferimin e Lookman në Madrid.

Fenerbahçe, marrëveshje në parim por pa mbyllje

Skuadra që ka këmbëngulur më shumë për Lookmanin në këtë merkato është Fenerbahçe. Klubi turk ka arritur prej ditësh një marrëveshje në parim si me Atalantën, ashtu edhe me lojtarin. Operacioni parashikohej si një transferim përfundimtar me vlerë rreth 40 milionë euro (35 milionë euro + 5 milionë bonuse).

Nga ana e tij, Lookman do të përfitonte një kontratë katërvjeçare shumë të majme, me vlerë totale 9 milionë euro në sezon (7 milionë euro fikse + 2 milionë bonuse).

Megjithatë, negociatat kanë ngecur për shkak të strukturës së pagesës dhe garancive bankare, në një skenar të ngjashëm me atë të verës së kaluar mes Galatasarayt dhe Napolit për Osimhen. Atalanta ka kërkuar pagesë të menjëhershme të rreth 50% të kartonit, një shifër mes 15 dhe 20 milionë euro, ndërsa Fenerbahçe ka ofruar një këst fillestar prej rreth 10 milionë eurosh.

Këto diferenca rrezikojnë të çojnë në dështimin e marrëveshjes, edhe pse një rikthim i turqve me kushte më të favorshme për Atalantën mbetet ende i mundur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB