Qeveria amerikane ka hyrë në një mbyllje të pjesshme (shutdown) pas përplasjes mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres për financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS).

“Shutdown-i” erdhi pasi senatorët demokratë refuzuan të votojnë një projektligj që do të siguronte vazhdimin e financimit për DHS, në kundërshtim me politikat e administratës Trump për deportimet masive.

Vendimi lidhet me vrasjen e dy shtetasve amerikanë në Minnesota, Alex Pretti dhe Renee Good, nga agjentë federalë, në një kohë kur Donald Trump kishte urdhëruar shtimin e forcave të emigracionit në Minneapolis.

Demokratët kërkojnë që ligji i financimit të DHS të rishkruhet dhe të përfshijë kufizime të reja për agjentët federalë, përfshirë:

-ndalimin e mbajtjes së maskave nga agjentët

-detyrimin për kamera trupore

-zbatimin e një kodi sjelljeje

-hetime të pavarura për shkeljet e mundshme

-ndalimin e patrullimeve “endacake”, ku persona ndalohen bazuar në dyshime për statusin e emigracionit

“Këto nuk janë kërkesa radikale, por standarde bazë që qytetarët presin nga forcat e rendit,” deklaroi lideri i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Departamente të prekura nga mbyllja

Përveç DHS, Kongresi nuk ka miratuar ende buxhetin për disa departamente të rëndësishme, përfshirë:

-Mbrojtjen

-Arsimin

-Punën

-Shëndetësinë dhe Shërbimet Sociale

-Transportin

-Strehimin dhe Zhvillimin Urban

Sipas Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB), këto institucione janë udhëzuar të zbatojnë planet për një “shutdown të rregullt”.

Ndikimi i mbylljes pritet të ndihet realisht nga e hëna, dita e parë e punës. Senati ka miratuar një paketë të përkohshme financimi, por ajo duhet ende të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila pritet të mblidhet të hënën.

Presidenti Trump ka sinjalizuar se do ta firmosë paketën sapo t’i paraqitet.

Pavarësisht “shutdown-it”, operacionet e ICE për deportimet nuk pritet të ndalen. Agjencia ka ende në dispozicion 75 miliardë dollarë nga ligji i miratuar vitin e kaluar dhe administrata mund të detyrojë punonjësit të vazhdojnë punën edhe gjatë mbylljes.

Pasiguri në Dhomën e Përfaqësuesve

Kalimi i paketës financiare mbetet i pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë një shumicë minimale prej vetëm një vendi. Ligjvënësit e krahut të djathtë kërkojnë që buxheti të lidhet me ligjin “Save Act”, që parashikon kërkesa më të rrepta identifikimi për votuesit – një masë e kundërshtuar nga demokratët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB