Komisioni i reformës territoriale, PS i jep dhe një mundësi opozitës: Mbledhja e radhës të hënën, nëse bojkotoni… Kryeministri Edi Rama është sot i pranishëm në Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore”.
Kreu i qeverisë foli për projektet që do të zbatohen, ndërsa u shpreh se Shqipëria është bërë referimi në arkitekturën bashkëkohore.
“Do flas shumë shkurt, në radhë të parë për të falënderuar të gjithë arkitektet që janë mbledhur këtu për këtë konkurs të radhës, të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve në funksion të krijimit të mëtejshme të kushteve për të përfituar nga partneriteti publik privat hapësira të reja për funksione publike.
Nga ana tjetër dua të falënderoj edhe arkitektët që zemërgjerësisht pranuan të jenë pjesë e kësaj jurie ndërkombëtare dhe jam i bindur që do kemi përsëri një ditë intensive emocionesh krijuese dhe një tjetër arsye për t’u ndjerë mirë në fund të ditës, duke arritur të vendosim një projekt tjetër në radhën e këtyre projekteve që siç e prezantoi edhe drejtorja e korporatës janë tanimë në një fazë të avancuar dhe madje një pjesë e tyre janë gati për të marrë lejen e zhvillimit dhe për të filluar nga puna.
Falë këtij procesi do të kemi më në fund pas vitesh një stadium të ri të përmasave europiane, një tjetër vepër arkitektonike të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh, Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis i shumë nevojshëm prej vitesh dhe një tjetër vepër e spikatur në historinë, jo thjeshtë të vendit tonë, por në historinë e arkitekturës bashkëkohore. Do të kemi po ashtu një kompleks të ri zyrash për administratën, për një numër të konsiderueshëm institucionesh, do të kemi pallatin e ri të sportit, një vepër mbresëlënëse që në projekt mori mbështetjen konsensuale të jurisë ndërkombëtare dhe një sërë veprash të tjera me interes të madh publik.
Sot me këtë projekt, ne i hapim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen, duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë, jetimët dhe njëkohësisht edhe për korpusin e ri të inspektorateve dhe me këtë rast dua të falënderoj këtu kryeinspektorin që për 10 vite rresht drejtoi një institucion që lindi vërtetë nga hiçi dhe u krijua nga e para dhe që sot është gati të bëjë një hop tjetër.
Thënë të gjitha këto, dua t’i përgëzoj edhe të gjitha studiot lokale që janë këtu të pranishme si partnerë të studiove ndërkombëtare, sepse në ndërkohë që zhvillohen projekte, në ndërkohë që lidhen marrëveshje të reja dhe në ndërkohë që Shqipëria është bërë një pikë referimi në botën e arkitekturës bashkëkohore si një vend ku ka një përqendrim të madh arkitektësh ndërkombëtar me shumë zë, Shqipëria është njëkohësisht edhe një universitet i hapur që i jep mundësi të gjithë arkitektëve të rinj shqiptarë, që i jep mundësi studiove të reja në Shqipëri, që përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me këta mjeshtra dhe këto studio të mëdha me plot eksperiencë, të marrin dije dhe të përfitojnë eksperienca që nuk ka asnjë universitet apo asnjë praktikë pune në një studio të huaj që të jep.
Shumë faleminderit të gjithëve një herë. Uroj që askush të mos mërzitet dhe të gjithë të ndiqni me interes deri në fund këto prezantime dhe njëkohësisht u them të gjithë atyre që do humbin, se një fitues do dalë, që këtu në Shqipëri nuk ka të humbur në këto konkurse sepse siç e dinë mirë, shumë prej atyre që kanë humbur konkurse edhe humbja është prezantim me vendin dhe pastaj, ky vend nuk i lëshon ata që vijnë po përkundrazi, i angazhon dhe u jep mundësi që të angazhohen në projekte të tjera“, u shpreh Rama.
Top Channel