Skandali seksual që tronditi opinionin publik dhe politikën në Malin e Zi, dorëheqje në nivele të larta shtetërore

28/01/2026 11:57

Prej gati një muaji, Mali i Zi po përballet me një skandal seksual që ka tronditur opinionin publik dhe skenën politike, pas publikimit të disa videove me përmbajtje intime që përfshijnë zyrtarë të lartë shtetërorë.

Ngjarja ka sjellë dorëheqje, akuza të ndërsjella dhe nisjen e hetimeve nga autoritetet.

Në fillim të vitit u publikuan disa video të Mirjana Pajkoviç, në atë kohë sekretare e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve. Pamjet shkaktuan reagime të forta dhe çuan në dorëheqjen e saj. Pas saj, dha dorëheqjen edhe Dejan Vukshiç, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe këshilltar i sigurisë i presidentit të Malit të Zi.

Në videot e publikuara, Pajkoviç shfaqet në momente intime me një burrë, për të cilin janë ngritur dyshime se është Vukshiç. Paralelisht, në mediat online janë shpërndarë edhe fotografi të saj.

Pajkoviç njihej për praninë aktive në rrjetet sociale, ku ndante aspekte nga jeta private dhe profesionale, si dhe për deklaratat e saj mbi rolin e grave në politikë. Ajo ka theksuar shpesh se gratë në jetën publike përballen me presion dhe paragjykim, ndërsa pamja e tyre interpretohet padrejtësisht si mungesë serioziteti.

Pas shpërthimit të skandalit, në vëmendje u rikthye edhe një video e vitit 2022, ku Pajkoviç, e pyetur për udhëheqësin e saj të preferuar në Mal të Zi, përmendte emrin e Dejan Vukshiçit, i cili në atë kohë nuk ishte figurë e njohur për publikun. Në fund të vitit 2025, ajo kishte paraqitur tri padi ndaj tij.

Pajkoviç ka denoncuar në polici shpërndarjen e paautorizuar të materialeve intime, si dhe kërcënime dhe shantazhe. Ajo e ka cilësuar publikimin e videove si një formë dhune dhe shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Sipas saj, ka qenë për një kohë të gjatë nën presion dhe kërcënime për shkatërrimin e karrierës.

Në dokumentacionin e dorëzuar pranë autoriteteve, Pajkoviç ka përfshirë edhe një audioincizim, për të cilin pretendon se është zëri i Vukshiçit, ku dëgjohen kërcënime se “për të nuk ka jetë në Mal të Zi”.

Prokuroria Shtetërore në Podgoricë ka hapur dy procedura penale mbi bazën e kallëzimeve të saj. Hetimet janë ende në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB