“Flasim për dixhitalizim, por spitali nuk ka energji”, Topalli në Kuvend: Qytetarët numërojnë qindarkat, pushteti projektet imagjinare

27/01/2026 13:03

Në seancën e sotme plenare deputetja demokrate, Jozefina Topalli foli për ikjen e energjisë elektrike në QSUT.

Sipas saj diskutimi i dixhitalizimit është i kotë kur në spitale nuk ka gjeneratorë për të furnizuar spitalin me energji.

“Sot flasim për satelit për smart city për prodhim armësh. Fjalë të mëdha, tituj bombastik, por realiteti është ndryshe. Në urgjencën e spitalit ikin dritat dhe nuk ka as gjeneratorë. Ky është një hendek moral i këtij pushteti, nga satelitët në qiell tek errësira në shtratin e pacientit. Na flasin për shëndetësi moderne, por mungon energjia, aparatura, siguria baza, miliona në letra

Na flasin për zhvillim në teknologji, por pensionet janë më të ulëtat dhe fuqia blerëse më e ulëta në Ballkan. Qytetarët numërojnë qindarkat ndërsa pushteti projektet imagjinare. Ky nuk është vizion, është ikje nga realiteti. Ministra të arrestuar për korrupsion, të tjerë nën hetim, zyrtar që bien një nga një. Kur korrupsioni bëhet sistem ai shfaqet në beton, në asfalt, në mungesë gjeneratorësh etj. Rrugë që çahen nga pesha e korrupsionit jo nga pesha e makinave apo e shiut. Tunele që pikojnë pa u hapur sepse kanë ndërtuar për tendera, jo për jetë njerëzish. Tani vjen mashtrimi i ri, dixitalizimi, fjalë e bukur, por përmes AKSHI-t miliona euro të buxhetit publik përqendrohen në një rreth të ngushtë të lidhur direkt me pushtetin, jo për transparencë, por për kontroll, jo për qytetarin, por klientelën.

Sot kemi një shtet ku krimi nuk luftohet, por koordinohet, një shtet që rrëmben biznesmenë, jo për drejtësisë, por për t’i detyruar të tërhiqen nga tenderat. Një shtet ku organizatat kriminale fusin në dorë buxhetin, dhe miliona zhduken nga paratë  publike për tu shfaqur në pasuri private.

Paratë e BE për bujqësinë që nuk shkojnë te fermerët, por treten në korrupsion duke lënë fshatin bosh dhe rininë në emigracion. Dhe mbi të gjitha një pushtet që kontrollon çdo institucion, përveç të vërtetës. Zgjedhjet e vjedhura  që janë rrënja e këtij kalbëzimi, kur vota nuk është lirë pushteti nuk ka themel”, u shpreh Jozefina Topalli.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB