“Presidenti nuk dëshiron të shohë njerëz të vrarë në rrugë”, Trump drejt tërheqjes së agjentëve federalë nga Minesota pas telefonatës me guvernatorin e shtetit

26/01/2026 22:18

Presidenti amerikan, Donald Trump ka rënë dakord të marrë në konsideratë tërheqjen e disa agjentëve të ICE nga Minesota, sipas zyrës së Guvernatorit të shtetit, Tim Walz, i cili foli me presidentin në telefon sot.

Zyra e guvernatorit tha se të dy patën një “bisedë telefonike produktive” në të cilën presidenti “ra dakord të marrë në konsideratë uljen e numrit të agjentëve federalë në Minesota dhe të punojnë me shtetin në një mënyrë më të koordinuar për zbatimin e ligjit të imigracionit kundër kriminelëve”.

Përveç kësaj, Trump ra dakord të diskutojë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare në mënyrë që autoritetet në Minesota të jenë në gjendje të kryejnë një hetim të pavarur, siç do të ndodhte në rrethana normale.

Ndërkohë, Trump beson se vdekja e Alex Pretti është një “tragjedi”, por edhe rezultat i “rezistencës së qëllimshme dhe armiqësore” nga Demokratët, siç deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt.

Presidenti amerikan “nuk dëshiron të shohë njerëz të plagosur ose të vrarë në rrugë”, por kërkon “t’i jepet fund rezistencës dhe kaosit” që lidhet me politikën e deportimit të emigrantëve, tha zëdhënësja.

Më herët sot, Presidenti Trump shkroi në një postim në Truth Social se Walz e telefonoi “me një kërkesë për të punuar së bashku në Minesota”. Trump tha gjithashtu se guvernatori tha se ishte i lumtur që “cari i kufirit” Tom Homan po dërgohej në shtetin e tij.

“Ishte një telefonatë shumë e mirë dhe, në fakt, dukej sikur ishim në të njëjtën faqe. I thashë Guvernatorit Walz se do ta telefonoja Tom Homan dhe se ajo që po kërkonim ishin të gjithë kriminelët që kishin në zotërim. Guvernatori, me shumë respekt, e kuptoi këtë dhe unë do të flas me të në të ardhmen sërish. Ai ishte i kënaqur që Tom Homan po vinte në Minesota, dhe unë gjithashtu”, shkroi ai.

“Edhe në Minesota, krimi ka rënë ndjeshëm, por si unë ashtu edhe Guvernatori duam të ulet edhe më shumë!”, shtoi Trump.

Dy ditë pas vrasjes me armë zjarri të Alex Pretti nga agjentët e ICE, telefonata midis presidentit dhe guvernatorit mund të jetë një masë për uljen e tensioneve.

Megjithatë, siç vëren Guardian, klima mund të nxitet nga një vendim i gjykatës federale mbi ligjshmërinë e operacionit Metro Surge kundër imigrantëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB