Video/ Fushata kundër emigracionit në SHBA, agjentët federalë qëllojnë për vdekje një person në Minneapolis
Një video e re ka rritur dyshimet mbi rrethanat e vdekjes së Alex Pretty, një infermier 37-vjeçar që u qëllua dhe u vra nga agjentët federalë në Minneapolis.
Policia e qytetit konfirmoi se viktima ishte një shtetas amerikan, i cili nuk kishte precedentë penalë dhe nuk ishte i përfshirë në aktivitete kriminale të mëparshme.
Pamjet e fundit, që po qarkullojnë në mediat sociale, pretendojnë se kapin një moment të grindjes para se të ndodhnin të shtënat fatale. Në video, duket një përleshje mes disa agjentëve dhe 37-vjeçarit i cili është i gjunjëzuar në tokë, duke tentuar të mbrohet. Akuzat që shoqërojnë videon sugjerojnë se ai nuk ka nxjerrë armën e tij të zjarrit të regjistruar ligjërisht, as gjatë sulmit ndaj tij nga agjentët.
Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka ndërhyrë për të ndihmuar një grua, kur një agjent është përpjekur të shtypte një person tjetër. Pas kësaj, ai është sulmuar fizikisht, është spërkatur me sprej piperi dhe është ndjekur ndërsa po largohej. Videoja tregon se armën e tij të ligjshme dyshohet të jetë hequr nga njëri nga agjentët, por ai nuk e ka përdorur atë. Akuzat për vetëmbrojtje dhe përdorim të forcës vdekjeprurëse nga ana e agjentëve mbeten të paqarta dhe nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet.
Alex Pretty punonte si infermier në Spitalin e Çështjeve të Veteranëve në Minneapolis, pjesë e Shërbimit Shëndetësor të Veteranëve. Ai ishte diplomuar në Universitetin e Minesotës dhe ishte konsideruar si një “shkencëtar i ri”. Koleget e tij e përshkruajnë si një person të përkushtuar dhe të kujdesshëm ndaj pacientëve, duke theksuar se ai ishte një infermier i kujdesit intensiv që punonte me veteranë dhe se nuk meritonte të vritej.
Ruth Anway, kolege e tij, e përshkruan si një person që “kujdeseshin shumë për njerëzit dhe ishte një njeri vërtet i mirë.”
Familja e tij ka bërë me dije se Alex kishte një interes të thellë për çështjet sociale dhe politike, duke marrë pjesë në protesta kundër politikave të ashpra të imigracionit dhe veprimeve të ICE-së. Babai i tij, Michael Pretty, e përshkruan si një person të shqetësuar për ngjarjet që ndodhnin në Minneapolis dhe në SHBA.
“Ai kujdesej shumë për njerëzit dhe ishte shumë i mërzitur për atë që po ndodhte”, tha ai.
Miqtë dhe kolegët e Alex Pretty-t e përshkruajnë atë si një person të informuar dhe të angazhuar politikisht. Dr. Dimitri Drekonia, shef i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Çështjeve të Veteranëve dhe profesor në Universitetin e Minesotës, e cilësoi atë si një “njeri të sjellshëm dhe të butë” që i kushtoi jetën kujdesit të veteranëve të sëmurë rëndë.
Përdorimi i forcës nga ana e agjentëve dhe vdekja e Alex Pretty-t kanë shkaktuar reagime të shumta dhe kanë ngritur pyetje mbi rrethanat e vërteta të ngjarjes. Megjithatë, autoritetet nuk kanë ofruar ende një informacion të plotë dhe zyrtar lidhur me ngjarjen, dhe hetimet vazhdojnë.
Top Channel