E ftuar këtë pasdite në emisionin “Fan Club”, ish-banorja e eliminuar mbrëmjen e djeshme nga shtëpia e “Big Brother VIP”, Lorna Hysa, ka folur hapur për eksperiencën e saj në reality show, por vëmendja është përqendruar te deklaratat e forta që ajo bëri në lidhje me lajmet dhe aludimet e publikuara gjatë qëndrimit të saj në shtëpi.

Lorna ka bërë të ditur se do të ndjekë rrugën ligjore, duke paralajmëruar padi civile dhe penale ndaj gazetarit Elton Tozaj, të cilin e akuzon për shpifje dhe përhapje të informacioneve të rreme që, sipas saj, kanë cenuar rëndë figurën dhe moralin e saj.

Gjatë intervistës, ish-banorja u shpreh se ndaj saj janë hedhur akuza të pabazuara, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, duke theksuar se nuk do t’i lërë pa përgjigje ligjore.

“Janë bërë aludime dhe shpifje ndaj meje dhe moralit tim. Personi që ka folur në emrin tim do të përballet me ndjekje penale dhe civile. Ka thënë gjëra totalisht të pavërteta dhe ka prekur një çështje shumë të ndjeshme për mua”,u shpreh ajo, duke përmendur konkretisht emrin e gazetarit.

Më tej, Lorna sqaroi edhe zërat që kanë qarkulluar në media për marrëdhëniet e saj me disa prej banorëve të “Big Brother VIP”.

Ajo tha se disa deklarata janë keqinterpretuar dhe deformuar, duke theksuar se njohjet e saj me disa persona brenda shtëpisë kanë qenë thjesht miqësore.

“Është thënë se unë kisha diçka me një prej personazheve kryesore të ‘BBV’. Ne njihemi prej vitesh, por mes nesh nuk ka pasur kurrë asgjë më shumë”, tha ajo, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje romantike apo histori të fshehtë.

Deklaratat e Lornës kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse paralajmërimi i saj për ndjekje ligjore do të konkretizohet në ditët në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB