Denoncimi i PD për arrestimin e një të mituri gjatë protestës, reagon policia: Ka gjuajtur me sende të forta efektivët, është 14 vjeç Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit ka sjellë dhe shumë arrestime nga ana e policisë.
Burime bëjnë me dije se 20 persona janë shoqëruar në komisariatin numër 1.
Kjo gjë ka sjellë dhe revoltë të qytetarëve të tjerë dhe disa deputetëve të PD, të cilët janë futur në ambientet e komisariatit dhe janë përplasur me policinë, duke thënë fjalë si: “O budalla, o kriminel”.
Pas përplasjes në komisariat, deputeti i PD-së, Eno Bozdo me një reagim në rrjetet sociale ka akuzuar policinë se ka tejkaluar çdo kufi me arrestimin e një fëmijë 10 vjeç vetëm pse ishte në protestë.
“Ndalimi i një fëmije 10-vjeçar përbën një shkelje të rëndë të çdo norme njerëzore dhe juridike. Në çdo shoqëri që pretendon drejtësi dhe shtet ligjor, një veprim i tillë është i papranueshëm. Akoma më shqetësuese janë akuzat për dhunë ndaj të miturit, të cilat e bëjnë këtë rast edhe më të rëndë. Arrestimi i një fëmije vetëm për faktin se ndodhej në një protestë nuk ka asnjë bazë ligjore dhe tejkalon çdo kufi etik e moral. Ky nuk është zbatim i ligjit, por një keqpërdorim flagrant i autoritetit shtetëror. Kjo nuk është rend publik. Është dështim dhe degradim i institucioneve”.
Top Channel