Prioriteti i Milanit mbetet fusha, me sfidën delikate ndaj Romës që mund të ngushtojë diferencën me Interin në vetëm tre pikë dhe të mbajë gjallë shpresat për Scudetto. Megjithatë, në shtëpinë kuqezi merkatoja vazhdon të jetë një temë e nxehtë, edhe pse javët e fundit nuk kanë sjellë shumë lëvizje konkrete.

Drejtuesit e klubit po punojnë në heshtje, duke pritur momentin e duhur për të plotësuar kërkesat e Max Allegrit, i cili – sipas zërave të orëve të fundit – ka dhënë dritën jeshile për një profil të ri në mbrojtje.

Emri që ka dalë në pah është ai i Radu Dragusin, mbrojtësi rumun i lindur në vitin 2002, aktualisht pjesë e Tottenhamit. Për Dragusin është folur shumë ditët e fundit në lidhje me Romën, por klubi verdhekuq duket se është tërhequr. Arsyeja lidhet si me formulën e kërkuar nga Spurs (huazim me detyrim blerjeje të garantuar në rast kualifikimi në Champions League), ashtu edhe me rritjen bindëse të Ghilardit në repartin defensiv.

Kjo situatë i hap rrugë Milanit, i cili mund të përfitojë nga admirimi i vjetër i Allegrit për Dragusinin, që nga koha kur lojtari po ngjitej me shpejtësi në radhët e të rinjve të Juventusit. Edhe pse trajneri dhe mbrojtësi nuk kanë punuar kurrë bashkë në ekipin e parë bardhezi, vlerësimi ka mbetur i fortë.

Dragusin mbetet një profil shumë i kërkuar dhe ditët e fundit të merkatos mund të sjellin surpriza, sidomos nëse Tottenham tregohet i hapur për formula alternative për shitjen e lojtarit.

Megjithatë, ekziston një kusht i qartë: Milan do të ndërhyjë në mbrojtje vetëm nëse largohet Ruben Loftus-Cheek. Mesfushori anglez është në radarët e Aston Villas dhe një rikthim në Premier League është i mundur, tre vite pas largimit të tij nga Chelsea.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB