Drejtoria vendore e policisë Tiranë ka reaguar pas denoncimit të PD-së për arrestimit e një të mituri gjatë protestës së opozitës.
Policia ka sqaruar se gjatë veprimeve të shërbimeve të policisë për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, në tubimin e mbajtur ditën e sotme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të Policisë.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me shoqërimin e një të mituri në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, sqarojmë se gjatë veprimeve të shërbimeve të Policisë për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, në tubimin e mbajtur ditën e sotme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të Policisë. Për këtë arsye, i mituri është marrë për verifikim, nga ku rezultoi të ishte i moshës 14 vjeç.
Theksojmë se shtetasi i mitur në asnjë moment nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Ai është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.
Në lidhje me veprimet e punonjësve të Policisë gjatë trajtimit të këtij rasti, është njoftuar menjëherë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për verifikimin e plotë të rastit.
Top Channel