Pas dorëheqjes së Rumen Radev, Bullgaria zgjedh presidenten e parë femër në historinë e saj

23/01/2026 16:19

Zëvendëspresidentja Iliana Yotova ka marrë zyrtarisht detyrat e Presidentes së Republikës së Bullgarisë, duke u bërë kështu kryetarja e parë femër e shtetit në historinë e vendit.

Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë ka pranuar dorëheqjen e Presidentit Rumen Radev, duke i hapur rrugën transferimit automatik të kompetencave presidenciale tek Yotova, në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Sipas  raportimeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Iliana Yotova merr menjëherë funksionet e presidentes pa qenë e nevojshme të bëjë një betim të ri para Asamblesë Kombëtare. Ajo e kishte dhënë betimin përkatës në vitin 2021, kur mori detyrën si Zëvendëspresidente. Në përputhje me kuadrin kushtetues, gjatë mandatit të saj nuk do të emërohet një zëvendëspresidente e re.

Iliana Yotova e nisi karrierën e saj publike si gazetare, përpara se t’i bashkohej Partisë Socialiste Bullgare (BSP), ku ishte aktive për disa vite deri në vitin 2016. Më pas ajo u zgjodh deputete në Parlamentin Bullgar dhe më vonë Anëtare e Parlamentit Evropian, duke fituar përvojë të gjerë parlamentare si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë evropian.

Në nëntë vitet e fundit, Yotova ka shërbyer si Zëvendëspresidente e Bullgarisë, duke siguruar vazhdimësi institucionale që lehtëson kalimin e saj në detyrën e presidentes.

Të premten pasdite, Rumen Radev u largua nga pallati presidencial në një ceremoni zyrtare, i shoqëruar nga pasardhësja e tij.

Kujtohet se Rumen Radev njoftoi dorëheqjen e tij më 19 janar, duke u bërë presidenti i parë në historinë moderne demokratike të Bullgarisë që largohet nga detyra përpara përfundimit të mandatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB