“Faleminderit kritikëve”, Presidentja e Bankës Qendrore Europiane në Davos: Koha për alternativa

23/01/2026 16:31

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, deklaroi në sesionin përmbyllës të Forumit Ekonomik Botëror se kritikat ndaj Europës duhet të shihen si një thirrje për zgjim dhe jo si kërcënim, duke theksuar nevojën për alternativa, inovacion dhe rritje të produktivitetit për të ruajtur peshën globale të kontinentit.

Duke folur në Alpet Zvicerane, Lagarde pranoi se gjatë ditëve të forumit “janë dëgjuar shumë kritika ndaj Europës”, por shtoi se ato kanë shërbyer për të nxjerrë në pah realitetet e vështira me të cilat përballet BE-ja

“Mendoj se duhet t’u themi faleminderit kritikëve. Ata na kanë dhënë ndërgjegjësimin se duhet të jemi më të fokusuar, të punojmë mbi planet B dhe të përqendrohemi te inovacioni dhe përmirësimi i produktivitetit”, tha ajo.

Lagarde kundërshtoi idenë e kryeministrit kanadez Mark Carney se bota ndodhet në një “pikë thyerjeje”, duke theksuar se situata kërkon alternativa dhe jo alarmizëm.

“Në vend të thyerjes, duhet të flasim për alternativa. Është koha të kuptojmë çfarë nuk ka funksionuar dhe të kërkojmë një plan B”, u shpreh ajo.

Shefja e BQE-së nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke paralajmëruar se fragmentimi ekonomik do të ishte i dëmshëm për të gjithë.

“Nga pikëpamja ekonomike, ne varemi nga njëri-tjetri. Duhet të mësojmë të dallojmë sinjalet nga zhurma”, tha Lagarde, duke shtuar se besimi tek institucionet është i brishtë dhe mund të shkatërrohet shumë shpejt në mungesë të transparencës dhe së vërtetës.

Ajo paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e pabarazisë në shpërndarjen e pasurisë, duke thënë se neglizhimi i këtij problemi mund të çojë në “telashe të vërteta”.

Në lidhje me zhvillimet teknologjike, Lagarde kërkoi rregulla të përbashkëta për inteligjencën artificiale, për të shmangur gabimet e së shkuarës me rrjetet sociale, të cilat sipas saj “kanë lënë të rinjtë të ekspozuar ndaj sjelljeve të rrezikshme”.

Duke komentuar deklaratat optimiste për rritjen ekonomike në Davos, Lagarde u shpreh skeptike ndaj shifrave shumë të larta.

“Qarkullojnë shumë numra dhe duhet të jemi të saktë. Shpesh, kur dëgjojmë për rritje shumë të lartë, bëhet fjalë për të dhëna nominale”, tha ajo, duke iu referuar në mënyrë indirekte deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për një rritje “shpërthyese” të SHBA-ve prej 5,4% në tremujorin e katërt.

Në të njëjtin panel, drejtoresha e Bankës Botërore, Kristalina Georgieva, u bëri thirrje vendeve të shmangin vetëkënaqësinë dhe të fokusohen në nxitjen e rritjes ekonomike, përballë rrezikut në rritje të borxhit sovran.

“Rritja nuk është mjaftueshëm e fortë, dhe pikërisht për këtë arsye borxhi, që ka arritur rreth 100% të PBB-së, do të jetë një barrë shumë e rëndë”, paralajmëroi ajo.

Lagarde përfundoi duke theksuar se, pavarësisht kritikave dhe tensioneve, ajo mbetet e bindur se në fund “vlerat do të mbizotërojnë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB