Bagëtitë mbeten pa ushqim/ Në Ferras të Kuçovës ka nisur evidentimi i dëmeve, fermerët ankohen për vonesa

23/01/2026 12:27

Pasojat e përmbytjeve nga dalja e lumit Seman vazhdojnë të jenë evidente në fshatrat e Kuçovës. Në Ferras nuk ka ushqim për bagëtitë.

Lumi dëmtoi të gjithë sasinë e grumbulluar për dimër, ndaj banorët janë në vështirësi për mbajtjen e të imtave. Grupet e kontrollit në terren të bashkisë Kuçove kanë shpërndare dengje bari dhe koncentrat, por nuk mjafton për të ushqyer kafshët. Këto bagëti për banorët janë jetesa e tyre e përditshme dhe burimi kryesor i të ardhurave familjare.

Fshati Ferras shtrihet buzë lumit Seman, i cili pas vërshimit ka sjellë tonelata plehra. Pas uljes së nivelit të ujit në fshatin Ferras ,tonelata me plehra kanë mbuluar  dy shpatet e lumit.

Sakaq grupet e verifikimit kanë bërë bilancin e dëmeve dhe dokumentet i kanë dorëzuar në bashki për dëmshpërblim. Sipas përgjegjësit të EC të Kuçovës Fatmir Doksani, më tepër ka shtëpi të përmbytura dhe dëme në blegtori dhe më pak dëme ne bujqësi.

Në fshatin Ferras sot shumë biznese lokale janë të mbyllura, ndërsa banorët përpiqen të zhdukin gjurmët që përmbytja la pas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB