Shqipëria në Bordin e Paqes, zbardhen amendamentet e PD: Të hiqet emri i Ramës nga marrëveshja, Shqipërinë t’a përfaqësojë Presidenti

22/01/2026 10:50

Partia Demokratike ka deklaruar votën pro marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, por ka propozuar një amendament për heqjen e emrit të kryeministrit Rama nga titulli i saj.

Në amendamentet të cilat Top Channel disponon, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi shkruan se “Republika e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare përfaqësohet nga institucione, dhe jo nga individë”.

Ai ka propozuar që Shqipëria në këtë institucion të përfaqësohet nga Presidenti i vendit dhe vetëm me autorizim të këtij të fundit nga Kryeministri.

Amendamentet e PD

Me qëllim garantimin e kushtetutshmërisë në projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, vlerësojmë se është e domosdoshme disa ndryshime në përmbajtjen e tij, në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës dhe ligjin nr. 43/2016.

Republika e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare përfaqësohet nga institucione, dhe jo nga individë. Për këtë qëllim, referimi duhet të bëhet tek institucioni dhe jo tek individët. Është e paprecedent në historinë e Shqipërisë dhe të së drejtës ndërkombëtare, aderimi apo pranimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk ndodh kurrë që të bëhet me emra konkretë.

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE – KUVENDI I SHQIPËRISË

Për të gjitha argumentet si më sipër, në mbështetje të nenit 71 dhe 75 të Rregullores, propozoj amendamentet si më poshtë:

Amendament 1:

Titulli të riformulohet:

“Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Amendament 2:

Neni 1 ndryshohet si vijon:

“Ratifikimi i marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij”.

Amendament 3:

Pas nenit 1, shtohet neni 2, me këtë përmbajtje:

“Në përputhje me nenin 2.2, shkronja ‘a’ e Kartës së Bordit të Paqes, Republika e Shqipërisë do të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga Presidenti i Republikës ose me autorizim të tij nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë.”

Sa më sipër, në përputhje me nenin 71 dhe 75 të Rregullores së Kuvendit, propozoj shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimeve sa më sipër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB