Arben Imami, i vlerësuar si një ndër pedagogët e rinj të rëndësishëm të regjizurës para viteve ‘90 dhe të kthesës konceptuale pas ndryshmit të sistemit u kthye pas 40 vitesh aty ku nisi gjithçka për të, në Fakultetin e Artit Skenik për një takim me studentët që nisi me kujtime dhe nostalgji.
“Kur unë kam qenë në fakultet, bëra njëherë Mjedën, tingëlloi e çuditshme ngaqë unë nuk jam nga veriu. Për më tepër, nuk bëhej gegërishtja, flitej vetëm toskërishtja”, u shpreh regjisori Armen Imami.
Imami e vijoi me një këshillë për aktorët dhe regjisorët e ardhshëm të skenës së artit shqiptar.
“Mësimi i parë që do të doja t’u thosha studentëve është etika e punës. Vetëm etika e punës mund ta mbajë një njeri gjallë dhe të suksesshëm”, thotë Imami.
Regjisurën, Imami e cilëson profesionin e tij të parë dhe një regjisor sipas tij ka privilegjin të krijojë një botë të re me krijimet artistike që ngjit në skenë.
“Një regjisor do të marrë një tekst, do të krijojë një botë, një botë që është e re. Çështja është, a mund ta bësh ti këtë botë si botën tënde dhe kjo të jetë në një ndërsubjektivitet me botën e të tjerëve. Të jetë bota jote, por e kuptuar nga të gjithë”, u shpreh regjisori.
Për regjisorin, thelbi është te forma, pasi pa formë, nuk ka art. Një regjisor i mirë sipas tij, duhet të dijë të japë esencën e karaktereve.
“Jo t’i mësojë artin aktorëve, por t’i mësojë cili është procesi që kur të punojë nesër, të dijë të zgjedhje pjesën, të njohë gjuhën, të njohë formatin”, thotë Imami.
Duke vënë në dukje hapësirat e kufizuara për teatrin shqiptar, Arben Imami shprehu kritikat e tij për veprat që zgjidhen dhe mënyrën si teatralizohen sot në skenë.
“Talenti të mund të organizohet, të orientohet drejt qëllimit të profesionit. Talentet nuk shpiken, talentet janë. Kur shikoje Dhimitër Anagnostin, dukej si një nëpunës banke, si një inxhinier… nuk të shkonte mendja kurrë që Taqo ishte artist. Taqo nuk merrte poza, por bënte filma. Ata që bënin poza, i kemi edhe sot vërdallë, produkt pas nuk kanë lënë”, përfundoi regjisori Imami.
Qëllimi i këtij aktiviteti është realizimi i një cikli bisedash, me qëllim ruajtjen e kujtesës dhe formësimin material e vizual të historisë së Fakultetit të Artit Skenik.
Top Channel