Kopenhageni synon të heqë ndalimin e energjisë bërthamore, qeveria hap rrugën për reaktorët e vegjël modularë

22/01/2026 18:37

Danimarka planifikon të ndërtojë reaktorë të vegjël modularë bërthamorë për të përmbushur nevojat e saj energjetike, tha Ministria e Klimës dhe Energjisë, një opsion që do t’i jepte fund ndalimit të energjisë bërthamore e cila është në fuqi që nga viti 1985.

Një kornizë që lejon studimin e “potencialeve dhe rreziqeve” të teknologjive të reja bërthamore, si dhe heqjen e moratoriumit, është krijuar tani, tha ministria në një deklaratë.

“Energjia e gjelbër nga dielli dhe era është sot dhe do të mbetet shtylla e furnizimit me energji të Danimarkës në të ardhmen, por mund të shohim se nuk është e mjaftueshme”, tha Lars Ågaard, Ministri danez për Klimën, Energjinë dhe Shërbimet.

“Ne duhet të jemi të hapur për të shqyrtuar nëse teknologjitë e tjera mund të na ofrojnë energji të gjelbër në të ardhmen”, shtoi ai. “Reaktorët e vegjël modularë bërthamorë mund të jenë një opsion.” Reaktorët bërthamorë SMR janë reaktorë bërthamorë të përparuar me një kapacitet gjenerimi të energjisë elektrike deri në 300 megavat për njësi, pothuajse një e treta e kapacitetit gjenerues të një reaktori tradicional bërthamor.
Ndërtimi i tyre është relativisht i thjeshtë, duke i bërë ato më të përballueshme sesa reaktorët e mëdhenj bërthamorë.

Qeveria po mbledh më shumë informacion mbi proceset rregullatore, çështjet e sigurisë, trajtimin e mbetjeve radioaktive dhe efikasitetin e kostot përpara se të marrë një vendim politik, tha ministria.
Parlamenti danez, i cili votoi për të ndaluar energjinë bërthamore në prodhimin e energjisë në vitin 1985, ra dakord në fillim të vitit 2025 të fillojë shqyrtimin e teknologjive të reja bërthamore si një burim potencial energjie.

Sipas shifrave të vitit 2024 nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), energjia e erës përbën 58% të prodhimit të energjisë elektrike në Danimarkë, biokarburantet 18%, energjia diellore 11%, mbeturinat 5% dhe qymyri gjithashtu 5%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB