“Kam një vëlla që mos e paça”/ Dosja ‘Plumbi i Artë’, dëshmon Petrit Qoli: Nuk i shkova në varrim Fatmirës, kisha turp nga…

22/01/2026 14:46

Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar sot seanca e radhës e dosjes të njohur si “Plumbi i Artë”.

Gazetarja e Top Channel Anlia Hoxha raporton se gjatë kësaj seance, i pandehuri Petrit Qoli është marrë në pyetje nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë marrjes në pyetje, Petrit Qoli ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion lidhur me të kaluarën e mundshme të Festim Qoli, duke theksuar se nuk ka dijeni për ndonjë problem që ky i fundit mund të ketë pasur me drejtësinë.

Qoli: Nga 2002 deri në 2013 kam patur anije peshkimi, kam punuar si kapiten anijeje. Anija Dibra dhe Sazani. Më vjen turp ta them por kam edhe fakultet juridik, te Kristali. Ndërkohë kam bërë dhe 9 pallate, jam marrë edhe me ndërtim.

Behar Dibra: Idenë për ndërtimtari, nga e more?

Qoli: Kam kushëri Mustafa Laçon. Është ndërtues, duhet të jetë 80 vjeç. I thashë kam 300 mijë marka. Ndërtimin e parë e kam bërë te gropa arkeologjike, mbrapa Pallatit të Kulturës.

Ku i gjete këto lekë?

Qoli: Nga peshkimi, kam patur gjithmonë anije të thashë. Kam një vëlla që mos e paça, Festim Qoli. Edhe motër, Rezana Qoli.

Ndërkohë që ju merreshit me peshkim vëllai me çfarë merrej?

Qoli: Kishte 5 biznese, bar kafe palestër. Unë ia kisha ndërtuar. Festimi ka qenë mjeshtër për makinat e vjedhura. Gjithmonë është marrë me tregti makinash, të dubluara. Kishte shumë miq italianë. Më pas u shtrëngua puna. Ku e di unë ku i njohu italianët. Kisha blerë një truall në Rruzhbull.

Kush është Agroni?

Qoli: Agron Qoli është çuni xhajës tim. Është djalë model, pas meje, por nuk e kam shok. Merret me ndërtimtari. Nuk kemi punuar bashkë. Unë kam bërë 8-9 pallate. Edhe xhaminë në Rruzhbull. Me Festimin nuk kemi punuar, e kam vëlla, por është fatkeqësi për familjen tonë.

A kishte të ardhura Festimi?

Qoli: Unë nuk jam ekonomisti i Festimit, por kishte lokal dasmash, normale që kishte para.

Ke dalë jashtë shtetit?

Qoli: Po sigurisht, unë kisha anije. Unë di që Festimi ka një vajzë shumë të pasur bullgare. Di që ka edhe pasaportë angleze. Ajo është shumë e pasur, shet inerte ndërtimi. Nuk ishte e bukur… por.. nuk e di çfarë sheh Festimi tek ajo. Me Festimin shiheshim për iftare dhe për ditëlindje. Ka patur shoqëri me Laertin e Palma Novës. Sapo fillova unë duke ndenjur me të, u ftoh ai. Gjithmonë si Tomi me Jerry kemi shkuar.

Pretendime pronësie keni patur?

Qoli: Unë kam hipotekuar të gjitha apartamentet. Nuk hidhej beton pa qenë unë aty. Unë jam autodidakt.

Keni dijeni për probleme me drejtësinë që mund të ketë patur Festimi?

Qoli: Nuk merresha me problemet e tij. Festimi është përgojuar që ka gjuajtur Titin, e ca të tjerë. Atij i pëlqente të njihej për këto. Është akuzuar për Loshin, për djalin e Fatmira Dedës. Por nuk e ka bërë.

Kush është ky Loshi, i biri i Fatmirës?

Qoli: Vinte te anija ime, merrte naftë qyl. Loshi është bërë për rahmet. Nuk më vjen keq fare. E dëgjova në televizor. Fatmirën e kam takuar 3 herë në jetën time. Njoh Besnik Dedën, vëllain e Fatmirës, legjendë e kapitenëve të anijeve. I shkova për qokë për kafe ngushëllimi. Tre herë e kam takuar gjithsej Fatmirën.

Një herë e takova te karburanti në Shkozet se merrja karburant aty. Festim Qoli e administronte këtë karburant me Fatmirën. E kishte blerë Festimi nga kush nuk e di. I ka shitur një Gëzimi më pas. Kur e ka blerë nuk e di. I ka marrë para borxh Loshit. Kujtim Hasa ka qenë menaxheri.

E ka blerë i vetëm në fillim vëllai. Më pas këta u ftohën, me Ervis Dedën, (Loshin) për dy vajza. Ata bënin jetë të shthurur. Arsyeja e martesës së Loshit, studentja ka qenë e dashuruar.

Loshi i kërkoi lekët që kishte marrë borxh Festimi, ky i tha kur t’i gjej do t’i jap.

Më tha Loshi mua që duhet të më japë lekët e karburantit. Nuk e di sa ishte shuma e lekëve. Nuk doja t’ia dija fare. Festimi nuk ma ka thënë, nuk kisha marrëdhënie të tillë me Festimin. Nuk e di kush e ka vrarë. Vetëm llafe njerëzish. Loshi ka vjedhur drogë thonë. Ca të tjerë që kishte florinj në makinë a drogë. Unë nuk rroj i mbyllur, prokuror, në Durrës rroj. Marrim vesh gjëra, të gjithë thonë ndonjë gjë. Historia e drogës filloi të flitet para se të vritej Mond Çekiçin. Kam respekt, më ka ardhur në shtëpi për iftar.

14 vjet duhet të ketë që është vrarë. E pashë te titrat e televizorit. E kishin nxjerrë foton. Kisha hallin e vëllait tim. Shkova te karburanti, nuk e gjeta në karburant. Gjeta punëtorët. E kam takuar vëllain pas 3 javësh. Shkova për ngushëllim pas të shtatave. Nuk e di ku ka qenë. Nuk ka qenë te prindërit. Nuk u interesova ku ishte. Nuk ka shokë të ngushtë në Durrës. Festimi i ka çuar tapi Fatmirës, si bashkëpronare, për arsye se Fatmira kishte deklaruar në polici që i Festimi kishte vrarë Ervisin. Ma tha më pas Festimi këtë.

Kur vajtëm për ngushëllim me babain, Fatmira i tha më fal se kam akuzuar Festimin nga tronditja. Isha unë, Agroni, babai, mamaja. Festimi ishte në kërkim policor. Babai i tha Fatmirës, nuk ka gjë mjafton të gjendet kush e ka vrarë. E mora vesh që e kishte thënë në polici, e di sa miq policë kam unë o prokuror?

E pyete Festimin pse të ka akuzuar Fatmira?

Qoli: Më tha dyshon se mos ngaqë jemi ftohur. Pasi Festimi i ka dërguar kontratën, tha që Fatmira u qetësua. E shkreta. Rahmet të ketë.

Si është vrarë Ervisi si e zbulove?

Qoli: Ma thanë njerëzit.

Cilët njerëz? Sa njerëz?

Petrit Qoli: Vëllai ma ka thënë, Festimi.

Kush e vrau Fatmirën?

Qoli: Nuk kam shkuar në varrim. Nuk kam shkuar nga turpi i kapitenit, Besniku, vëllai i saj.

Di që vrasësi ka hyrë dhe ka marrë sende me vlerë. E kam dëgjuar në media. Është vrarë te garazhi ku kishte shtëpinë. Makina ishte e zezë, nuk e dalloj markën, e kishte të re akull, ia kishte blerë i biri.

Te pallati ku u vra, kam zyrat. Unë qenë me familjarët e mi. Isha në timon në Përrenjas, isha duke ikur në Pogradec. Më tha kushëriri im në telefon kanë vrarë nënën e Ervisit, kërkon policia Festimin. I thashë ç’më duhet mua me Festimin.

Festimin e kam takuar më pas. Nuk e mbaj mend sa kohë më pas. Pas vdekjes së të birit, Fatmira shkonte herë pas here te karburanti për ato llogaritë.

Talo Çela ka qenë emër i dëgjuar për ju në vitet 2012–2013?

Qoli: Nuk e njoh, nuk kam folur kurrë në telefon. Nuk njoh asnjë nga hasmit e Nuredin Dumanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB