Top Story/ Bordi i Paqes, ish-ministri Malaj: Shqipëria bën mirë që merr pjesë, sfida është çfarë do të fitojmë
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, u shpreh në Top Story se prania e Ivanka Trump sonte në Kryeministri përbën një sinjal të fortë politik dhe njerëzor të besimit që Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndaj kryeministrit Edi Rama.
Gogu tha se ftesa për Shqipërinë dhe për Ramën ka qenë personale dhe e drejtpërdrejtë nga Presidenti Trump, çka sipas tij rrëzon pretendimet e opozitës se kryeministri është “i padëshiruar” në arenën ndërkombëtare.
“Presidenti Trump i ka besuar një miku të vet që të mirëpresë vajzën e tij në vendin e tij, në shtëpinë e tij. Sot, vajza e Presidentit amerikan, një nga personat më të afërt të tij në botë, ndodhet me kryeministrin”, u shpreh Gogu.
Ai shtoi se nga pikëpamja njerëzore, ky është një akt që flet vetë për nivelin e marrëdhënies mes dy liderëve, duke e cilësuar si një besim që nuk i jepet lehtë askujt.
Sipas Gogut, prania e Ivanka Trump në Tiranë dhe konkretisht sonte në Kryeministri bie ndesh me narrativën e opozitës, e cila njëkohësisht e cilëson Ramën si të padëshiruar dhe pretendon se ai nuk ka pasur rol në proceset ndërkombëtare të fundit.
“Faktet tregojnë të kundërtën. Sot kryeministri nuk është i padëshiruar, por i dëshiruar”, deklaroi Gogu, duke theksuar se Shqipëria ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin në procesin e përfshirjes në Bordin e Paqes.
“Opozita i bën të dyja dhe e thotë që kryeministri nuk është i dëshiruar, ndërkohë që vajza e një pjesëtari të familjes Trump është sot me të, dje dhe sot, dhe nga ana tjetër thotë që shiko se kryeministri nuk shkoi në Davos sepse nuk ishte i ftuar, ndërkohë që kryeministri ka udhëhequr ashtu siç e ngarkon Kushtetuta, ashtu siç e ngarkon ligji gjithë ekipin e vet që ta përmbushë me sukses këtë akt final të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes”, tha ai.
Top Channel