Ceremonia për nënshkrimin e Bordit të Paqes/ Trump firmos me përfaqësuesit e 19 vendeve, e pranishme dhe Vjosa Osmani
Këtë të enjte u mblodh seanca plenare për votimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes me ftesë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, e quajti këtë fetës si një vlerësim historik për Shqipërinë dhe i kërkoi opozitës që t’i bashkohet mazhorancës në votim.
“Sot, Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike që shkon përtej rendit të zakonshëm. Republika e Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, Edi Rama, janë ftuar të jenë vend anëtar themelues të Bordit të Paqes. Kjo shënon një moment të paprecedentë pozitiv, ku vendi ynë shihet si aktor që kontribuon për paqen dhe jo si pjesë periferike për zgjidhjen e tyre. Kjo nuk është diçka e zakonshme, nuk është formale dhe as simbolike. Në letrën zyrtare , Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilëson këtë nismë si përpjekje madhore për ndërtimin e paqes, orientuar drejt rezultateve konkrete për të sjellë paqe kudo ku ka konflikte në botë. Prandaj, kolegë dhe kolege deputetë, Bordi i Paqes, sipas kartës që do të shqyrtojmë sot në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, është organizmi i duhur kombëtar që synon stabilitetin dhe ku paqja kudo në botë të jetë e qëndrueshme.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme do të bëjë prezantimin e plotë të kësaj karte dhe përfaqësimin e Shqipërisë nga Kryeministri Edi Rama, duhet ta dimë rëndësinë e fillimit sa më parë të punës së këtij Bordi, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga Kryeministri Edi Rama.
Pikërisht në këtë frymë, Shqipëria jonë është ftuar të jetë, jo më si dikur, si një vëzhguese, por si një bashkë-arkitekte themeluese të një organizmi të ri ndërkombëtar për paqe.
Vota sot do të jetë një test tjetër i konfirmimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe që ne nuk kemi ndasi me njëri-tjetrin. Shpresoj të jetë një votë unanime e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Fakti që Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, i jep vendit ton një rol aktiv në Bordin e Paqes.
Ky besim nuk është i rastësishëm, por i një udhëheqje të një politike të jashtme të suksesshme.
Opozita nuk ftohet për të votuar një parti, nuk po votojmë një mazhorancë apo opozitë, por votohet për Shqipërinë”, tha Balla.
Top Channel