Analiza e ‘BBC’: Çfarë dimë për ‘kornizën’ e marrëveshjes së ardhshme të Trump mbi Groenlandën

22/01/2026 17:08

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një njoftim për krijimin e një “kornize” të mundshme marrëveshjeje me Danimarkën dhe Groenlandën lidhur me një marrëdhënie të ardhshme ushtarake dhe ekonomike, përfshirë ndoshta ndarjen e sovranitetit mbi këtë territor strategjik të Arktikut.

Deklarata erdhi pas një periudhe të gjatë tensionesh diplomatike, e cila kulmoi me kërcënime për vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj aleatëve të SHBA-së që kundërshtuan planet e tij për të marrë Groenlandën.

Sipas ‘BBC’, një nga elementët kyç të këtyre bisedimeve është çështja e sovranitetit të Groenlandës, e cila është pjesë e Danimarkës. Edhe pse Trump ka sugjeruar mundësinë që SHBA të marrë kontrollin mbi ishullin, kjo ide është hasur me kundërshtimin e ashpër të autoriteteve daneze dhe atyre të Groenlandës. Si Danimarka, ashtu edhe Groenlanda kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga sovraniteti mbi tokën e tyre, një pikë që mbetet një pengesë kryesore në çdo bisedim të ardhshëm.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e ka theksuar këtë qëndrim, duke thënë se “ne mund të negociojmë për çdo gjë politike; sigurinë, investimet, ekonominë”, por nuk mund të negociojmë për sovranitetin tonë”. Po ashtu, një deputete e Groenlandës, Aaja Chenmitz, theksoi se “NATO-ja në asnjë rast nuk ka të drejtë të negociojë për asgjë pa ne, Groenlandën. Asgjë për ne pa ne”.

Në këtë kuadër, nisma e Trump për të arritur një marrëveshje mbi Groenlandën mund të përballet me vështirësi të mëdha politike dhe juridike, sidomos nëse ndodhin përpjekje për të minuar sovranitetin danez dhe groenlandez.

Një nga arsyet që SHBA-ja ka shfaqur interes për Groenlandën është vendndodhja strategjike e ishullit, i cili ka një rëndësi të madhe për mbrojtjen ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të saj, veçanërisht për sa i përket mbrojtjes nga kërcënimet raketore. Trump ka argumentuar se Groenlanda është thelbësore për planin e tij për të ndërtuar sistemin mbrojtës “Kupola e Artë”, një sistem që do të mbrojë SHBA-në nga sulmet me raketa.

Përveç kësaj, Groenlanda ka rezerva të mëdha minerale, përfshirë minerale të rralla të tokës, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e teknologjive moderne, si telefonat celularë dhe automjetet elektrike. Kjo e bën ishullin tërheqës për SHBA-në nga një perspektivë ekonomike dhe strategjike, edhe pse Trump ka theksuar se fokusi kryesor është siguria dhe mbrojtja, jo pasuritë natyrore.

Një mundësi që është diskutuar është që Danimarka mund të heqë dorë nga sovraniteti mbi disa zona të vogla të Groenlandës për të lejuar ndërtimin e bazave ushtarake të SHBA-së. Ky rregullim do të ishte i ngjashëm me bazat ushtarake britanike në Qipro, ku Mbretëria e Bashkuar mban sovranitet mbi disa territore të vogla, ndërsa pjesa tjetër e ishullit është nën sovranitetin qipriot. Kjo mund të jetë një mundësi për SHBA-në, por është e paqartë nëse kjo mund të pranoheshin nga autoritetet daneze dhe groenlandese.

SHBA dhe NATO kanë pasur një prani ushtarake të vazhdueshme në Arktik, dhe aleatët e NATO-s janë të angazhuar për të siguruar këtë rajon përballë kërcënimeve nga Rusia dhe Kina. Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka theksuar se aleatët do të kontribuonin për sigurinë në Arktik në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë për Groenlandën, që mund të përfshinte bashkëpunimin me SHBA-në. Po ashtu, kryeministri britanik Keir Starmer ka përmendur mundësinë e ngritjes së një “Rojë Arktike” për të rritur mbikëqyrjen ushtarake dhe për të siguruar rrugët detare në rajon.

Një nga vështirësitë që ka dalë është fakti që e gjithë toka në Groenlandë është pronë publike dhe nuk mund të blihet ose shitet. Ky është një pengesë e madhe për realizimin e çdo marrëveshjeje që përfshin transferimin e sovranitetit. Trump ka sugjeruar se nuk do të ishte e mjaftueshme një marrëveshje qiraje, por se SHBA duhet të ketë “pronësi” mbi Groenlandën, diçka që do të përbënte një sfidë të rëndë juridike dhe politike.

Marrëveshja e mundshme për Groenlandën mbetet një çështje e ndërlikuar, e mbushur me pengesa të mëdha politike dhe juridike. Ndërkohë që SHBA-ja ka shprehur interes për ndihmën në sigurinë e Arktikut dhe për mbështetje ekonomike për Groenlandën, Danimarka dhe Groenlanda kanë bërë të qartë se sovraniteti i tyre është i paprekshëm. Nëse SHBA-ja do të arrijë një marrëveshje të pranueshme për të gjitha palët, ajo do të duhet të balancojë interesat strategjike dhe të sigurisë me respekton e sovranitetit të vendeve të tjera, duke u përpjekur të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Groenlandës pa shkelur të drejtat e saj politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB