Zgjerimi ujërave territoriale greke në Detin Jon/ Ministri grek Dendias: Vetëm hapi i parë

21/01/2026 15:22

Pesë vite pas zgjerimit të ujërave territoriale greke në Detin Jon, nga 6 në 12 milje detare, ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, riktheu në vëmendje një nga vendimet më simbolike të politikës së jashtme greke të viteve të fundit.

Në një postim në rrjetin social X, Dendias theksoi se kishte pasur “nderin” ta paraqiste vetë këtë nismë në Parlament, kur ishte ministër i Jashtëm, duke nënvizuar se Greqia nuk u mjaftua vetëm me deklarime politike, por ushtroi në praktikë një të drejtë sovrane, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe Konventën e Detit.

Gjatë aprovimit të ligjit në parlament kryeministri Mitsotakis kishte deklaruar në janarin e 2021 se për herë të parë Greqia rritet me më shumë se 10% , jo me pushtim apo në dëm të shteteve të tjera për në bazë të së drejtës ndërkombëtare .
Dendias zgjodhi të ndajë këtë përvjetor pikërisht në ditën kur në Athinë priti homologun izraelit, në një takim të fokusuar te bashkëpunimi strategjik dhe programet e armatimit të Greqisë, nga sistemet anti-drone dhe mbrojtja kibernetike, deri te prodhimi i përbashkët i teknologjive ushtarake.

Në fjalën e tij, ai theksoi se Greqia synon të kalojë nga një vend blerës armësh, në një vend prodhues dhe bashkëprodhues, duke përforcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në Mesdheun Lindor. Por paralelisht, ai la të kuptohet se zgjerimi i ujërave në Jon ishte vetëm hapi i parë dhe se Greqia ruan të drejtën për zgjerim edhe në zona të tjera.

Këtë mesazh e përforcoi disa ditë më vonë edhe ministri i Jashtëm Georgios Gerapetritis, nga foltorja e Parlamentit, duke deklaruar se zgjerimi i mëtejshëm i ujërave territoriale do të vijë së shpejti, ndërsa çështjet e sovranitetit nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë objekt negociatash me Turqinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB