Video/ Stuhia e fuqishme godet Italinë jugore dhe Mesdheun qendror, përmbytje dhe dallgë deri në 9 metra
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se “tani ka paqe në Lindjen e Mesme”, gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ndërsa lëshoi paralajmërime të forta ndaj Hamasit, duke theksuar se organizata palestineze do të “shfaroset shumë shpejt” nëse nuk dorëzon armët.
Gjatë deklaratës së tij, Trump pohoi se pavarësisht ekzistencës së “disa çështjeve të vogla”, duke përmendur drejtpërdrejt Hamasin, organizata ka rënë dakord të heqë dorë nga armët e saj. “Ka disa çështje të vogla, si Hamasi, dhe Hamasi ka rënë dakord të dorëzojë armët e tij”, deklaroi ai, ndonëse vetë Hamasi e ka përjashtuar publikisht mundësinë e çarmatimit.
Presidenti amerikan pranoi se procesi i çarmatimit nuk është i lehtë, duke vënë në dukje se anëtarët e Hamasit “kanë lindur me armë në dorë”. Megjithatë, ai u shpreh i bindur se marrëveshja do të respektohet. “Kjo është ajo për të cilën ata kanë rënë dakord dhe kjo është ajo që do të bëjnë”, tha Trump.
Sipas tij, brenda një afati të shkurtër kohor do të jetë e qartë nëse Hamasi do ta zbatojë angazhimin. “Brenda dy ose tre ditëve të ardhshme, dhe sigurisht brenda tre javëve të ardhshme, do ta dimë nëse do ta bëjnë apo jo”, deklaroi ai.
Trump paralajmëroi gjithashtu pasoja të rënda në rast të moszbatimit të marrëveshjes. “Nëse nuk e bëjnë, do të shndërrohen në pluhur shumë shpejt”, u shpreh Presidenti i SHBA-së.
Në të njëjtin kontekst, Trump tha se dhjetëra vende janë të gatshme të marrin pjesë në një forcë ndërkombëtare sigurie në Rripin e Gazës. Sipas tij, 59 vende kanë shprehur interes për t’u përfshirë në planin e tij të paqes, me synimin për neutralizimin e Hamasit. “Ata duan të hyjnë dhe të eliminojnë Hamasin. Ata duan të bëjnë gjithçka që munden”, theksoi ai.
Trump fton Papën në Këshillin e Paqes
Ndërkohë, Donald Trump ka ftuar Papën Leo XIV të bashkohet me Këshillin e Paqes, një iniciativë që fillimisht synonte përfundimin e luftës në Gaza, por që tani, sipas Trump, do të ketë një mandat më të gjerë për zgjidhjen e konflikteve globale.
Ftesa u konfirmua nga diplomati më i lartë i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Selisë së Shenjtë. “Papa e ka marrë ftesën dhe ne po shqyrtojmë se çfarë të bëjmë. Mendoj se do të duhet pak kohë për ta analizuar përpara se të japim përgjigjen tonë”, deklaroi Parolin.
Disa vende, përfshirë Izraelin dhe Egjiptin, e kanë pranuar ftesën për t’u bashkuar me Këshillin e Paqes, ndërsa vende të tjera kanë shprehur rezerva. Sipas diplomatëve, iniciativa mund të ndikojë negativisht në rolin dhe punën e Kombeve të Bashkuara në ndërmjetësimin e konflikteve ndërkombëtare.
Top Channel