‘Shpërbërja’ e grupit kriminal që shiste armë në Tiranë, vihet në pranga pas një muaji një nga anëtarët në kërkim

21/01/2026 12:51

Vijon operacioni i koduar “Members”, i zhvilluar rreth 1 muaj më parë, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, në Tiranë.

Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale, është arrestuar edhe një tjetër pjesëtar i grupit. Bëhet fjalë për shtetasin Ardian Cuku.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe policore, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Members”, të zhvilluar më datë 17 dhjetor 2025, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, u ndalua shtetasi Ardian Cuku, 31 vjeç, banues në Kamëz.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepren penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. C., së bashku me shtetasit B. J. dhe Xh. Sh. (të arrestuar gjatë zhvillimit të operacionit), shiste armë zjarri, në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB