Reanimacioni mbeti pa drita/ QSUT ende pa shpjegim, përse nuk funksionuan bateritë dhe gjeneratorët rezervë

21/01/2026 19:53

Në pritje të përgjigjes zyrtare nga drejtoria e QSUT mbi ngjarjen e pazakontë që ndodhi në dy sallat e reanimacionit për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike, ku u rriskuan me jetë 10 pacientë të intubuar dhe 20 të tjerë në sallën e reanimacionit.

Ajo që dihet deri më tani është se, me ikjen e dritave, nuk ka hyrë në punë sistemi ‘Back Up’ i UPS-it dhe gjeneratorëve, të cilët duhet të ishin aktivizuar menjëherë.

Por burime të Top Channel, bëjnë me dije se një nga sistemet që duhej aktivizuar nuk funksionoi, çka bëri që për 30 minuta, 30 pacientëve t’u rrezikohej jeta. Si një qendër spitalore terciare, me një rëndësi të madhe jetike, QSUT më parë furnizohej nga tre linja të energjisë elektrike, por me ndërtimin e spitalit të ri, njëra prej tyre është shkëputur, duke i lënë spitalet vetëm me dy linja elektrike.

Kaosit të shkaktuar mbrëmjen e së hënës ndër radhët e mjekëve dhe të familjarëve që kishin të afërm të tyre në dy sallat e reanimacionit, drejtoria e QSUT zgjodhi t’i përgjigjet vetëm me atë që shpjegoi shefi i shërbimit të anestezi-reanimacionit, i cili, bashkë me ekipin e tij, por edhe me ekipin e reanimacionit të kardiologjisë, e mirëmenaxhuan situatën e pazakontë, edhe pse në kushte ekstremisht të vështira, por fatmirësisht pa dëme në njerëz.

Duhet theksuar madje me të madhe se kjo nuk është në mënyrë absolute përgjegjësi e mjekëve, që falë tyre nuk u rrezikuan pacientë, të cilët u transportuan me respiratorë portativë, duke mbajtur parametra të pacenuar të pacientëve nga njëra anë, e të familjarëve të tyre që i ulërisnin për atë çfarë po ndodhte nga ana tjetër. Por kush mban përgjegjësi për veprime apo mosveprime të dikujt që luan me jetë njerëzish? A ka një kontratë mirëmbajtjeje të sistemeve Back Up të UPS-it dhe gjeneratorëve dhe kush e ka për detyrë ta bëjë? Është kjo një përgjegjësi e operatorit që ka mundësuar respiratorët jetëshpëtues apo është përgjegjësi e drejtorisë së QSUT të bëjë mirëmbajtjen me kompani që ofrojnë këtë shërbim?

Burime jozyrtare thonë se kishte përfunduar kontrata e mirëmbajtjes dhe nuk ishte rinovuar. Po detyrimi ligjor që çdo muaj duhet bërë prova e kontrollit nëse funksionojnë sistemet e Back Up, a ishte realizuar? Po për këtë, a ka një përgjegjës? Për të gjithë ata pacientë që janë duke marrë shërbim shëndetësor në spitalet e QSUT, për të gjithë të afërmit e tyre dhe ekipin mjekësor, kërkohet patjetër një përgjigje dhe një përgjegjës, në mënyrë që të kenë siguri sot dhe nesër, pasi këto papërgjegjshmëri na rrezikojnë të gjithëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB