Qeveria ka miratuar sot marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ndërsa Kuvendi pritet ta ratifikojë nesër.
Sipas dokumentit zyrtar, marrëveshja është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr.45, datë 21 janar 2026, dhe parashikon që Shqipëria, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, të bëhet pjesë e Kartës themeluese të Bordit të Paqes.
Çfarë është Bordi i Paqes
Bordi i Paqes do të krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Roli i Shqipërisë dhe statusi i anëtarit themelues
Relacioni thekson se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bord përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Shqipëria parashikohet të ketë statusin e anëtarit themelues, çka i jep një rol aktiv dhe të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të Bordit.
Qeveria argumenton se ky status rrit ndjeshëm profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe e pozicionon vendin si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje, veçanërisht në proceset që synojnë zgjidhjen e konflikteve shumëvjeçare, përfshirë Lindjen e Mesme. Dokumenti e cilëson gjithashtu këtë zhvillim si konfirmim të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si funksionon Bordi i Paqes
Sipas Kartës, Bordi do të drejtohet nga një Kryetar dhe do të ketë dy struktura kryesore vendimmarrëse: Bordin e Shteteve Anëtare dhe Bordin Ekzekutiv. Vendimet do të merren me shumicë votash, por do të kërkojnë konfirmimin e Kryetarit, i cili gëzon edhe të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.
Anëtarësimi i shteteve do të bëhet me ftesë dhe mandat trevjeçar, me mundësi rinovimi. Përjashtim bëjnë shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, për të cilat nuk zbatohet kufiri trevjeçar i mandatit.
Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke përcaktuar se Bordi nuk ka juridiksion brenda territorit të tyre dhe nuk mund t’i detyrojë të marrin pjesë në misione pa pëlqimin e shprehur.
Financimi dhe imunitetet
Bordi i Paqes do të financohet përmes kontributeve vullnetare vjetore të shteteve anëtare. Ndërkohë, organizata dhe personeli i saj do të gëzojnë personalitet juridik ndërkombëtar, si dhe privilegje e imunitete të nevojshme për ushtrimin e funksioneve, të rregulluara përmes marrëveshjeve me shtetet pritëse.
Efektet financiare për Shqipërinë
Relacioni sqaron se në këtë fazë, miratimi i projektligjit nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, anëtarësimi në Bord do të shoqërohet në të ardhmen me kontribute financiare vullnetare, të cilat do të përfshihen në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe në planifikimet afatmesme buxhetore 2027–2029.
Kush e zbaton marrëveshjen
Për zbatimin e projektligjit ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes do të përfshihen edhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Marrëveshja për themelimin e Bordit të Paqes është iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Top Channel