Netanyahu pranon të bashkohet në Bordin e Paqes, disa vende i thonë “jo” ftesës së Trump

21/01/2026 14:33

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar ftesën për t’u bashkuar me Bordin e Paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndërsa Norvegjia ka refuzuar ftesën e presidentit amerikan për t’u bërë anëtar i bordit.

Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Netanyahu do të bëhej anëtar i bordit me ftesë të Trump.

Bordi fillimisht mendohej se kishte për qëllim të ndihmonte në përfundimin e luftës dyvjeçare midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe të mbikëqyrte rindërtimin, por statuti i tij i propozuar nuk e përmend territorin palestinez dhe duket se është hartuar për të zëvendësuar funksionet e OKB-së, sipas BBC.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë rënë dakord gjithashtu të bashkohen, ashtu si vendi ynë Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Hungaria, Kazakistani, Maroku dhe Vietnami. Ndërkohë shumë vende të tjera kanë shprehur rezerva.

Nuk është e qartë se sa vende janë ftuar të bashkohen me organin e ri të Trump  por Kanadaja, Rusia, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar janë midis tyre, por ende nuk janë përgjigjur publikisht.

Norvegjia ka thënë se nuk do të bashkohet sepse propozimi aktual “ngre një numër pyetjesh”, ndërsa Franca dhe Suedia kanë lënë të kuptohet se do të bëjnë të njëjtën gjë.

Sipas një kopjeje të kartës së publikuar në media, shteteve anëtare do t’u jepet një mandat trevjeçar i rinovueshëm, por ato mund të sigurojnë një vend të përhershëm nëse kontribuojnë me 1 miliard dollar fonde për bordin.

Trump do të jetë kryetar, por gjithashtu përfaqësues i SHBA-së. Një zyrtar amerikan ka thënë se kryesia mund të mbahet nga Trump “derisa ai të japë dorëheqjen”, por një president i ardhshëm i SHBA-së mund të zgjedhë një përfaqësues të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB