“More 45 milionë lekë nga kompania e sekuestruar nga SPAK”/ Gjykata rrëzon padinë e Lapajt ndaj Agron Shehajt, deputeti fajtor vetëm për fyerje

21/01/2026 10:38

Gjykata e Posaçme ka shpallur Agron Shehajn, deputetin dhe kryetarin e Partisë Mundësia, të pafajshëm për veprën penale të shpifjes, në një çështje të ngritur pas deklaratave të tij ndaj Adriatik Lapajt, kreut të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Shehaj nuk është gjetur fajtor për shpifje, lidhur me akuzat publike ku ai kishte deklaruar se Lapaj kishte marrë para nga krimi i organizuar. Gjykata theksoi se akuzat e Shehajt nuk përbëjnë elementët e shpifjes, por ato janë konsideruar si fyerje ndaj figurës së Adriatik Lapajt.

Megjithatë, Gjykata e Posaçme e ka shpallur Shehajn fajtor për fyerje, duke e dënuar me një gjobë prej 300 mijë lekësh.

Agron Shehaj akuzoi Adriatik Lapajn se kishte përfituar 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e cila u sekuestrua nga SPAK pasi dyshohet se përdorej për pastrimin e parave të grupit kriminal të “Çopjave”.

Lapaj i mohoi akuzat, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë pagesë dhe se shumat e përmendura ishin thjesht detyrime për shërbime ligjore të ofruara si avokat për kompaninë në fjalë.

Nga ana tjetër, Shehaj vijoi me akuzat, duke i shoqëruar ato edhe me dokumente, sipas të cilave Lapaj kishte marrë përsipër regjistrimin e një prone me vlerë miliona euro, të blerë nga kompania e lidhur me grupin e “Çopjave” në bregdet. Sipas Shehajt, vendimi për këtë pronë ishte dhënë nga vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, në kohën kur ai ushtronte detyrën e kryetarit të Gjykatës së Sarandës.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. I dëmtuari akuzues Adriatik Lapaj me datë 01.04.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale me të akuzuar shtetasin Agron Shehaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”, parashikuar përkatësisht nga nenet 119/2 dhe 120/2 të K.Penal.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 59, 112, 379, 384, 388/1/b, 390, 393 të K.Pr.Penale, si dhe nenet 119/2 dhe 120/2 të K.Penal, me vendimin nr. 4, datë 21.01.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit Agron Shehaj për kryerjen e veprës penale “Fyerja”, e parashikuar nga neni 119/2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 300 000 (treqind mijë) lekë gjobë.

2. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Agron Shehaj për kryerjen e veprës penale “Shpifja”, e parashikuar nga neni 120/2 i K.Penal, pasi fakti i pretenduar nuk përbën vepër penale.

3. Afati i pagimit të gjobës do të jetë 6 (gjashtë) muaj nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi.

4. Shpenzimet gjyqësore i lihet në ngarkim të akuzuarit Agron Shehaj.

5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB