Vrasja e ish-policit Santiago Malko, dënohet me 30 vite burg Leonard Duka
Çelësat e pasurisë së Valentino Garavanit janë në duart e një avokati holandez dhe një inxhinieri italian.
Udhëtimi në trashëgiminë “materiale” të stilistit të madh, i ndarë nga jeta më 19 janar në moshën 93-vjeçare, përfshin prona të mëdha imobiliare, jahte, struktura financiare të regjistruara në një ishull të Kanalit dhe objekte të panumërta arti. Por mbi të gjitha, përfshin shoqëri ku inxhinieri Piero Villani (77 vjeç) dhe avokati Ronald Feijen (70) kanë një rol kyç. I pari zotëron edhe kuota aksionare të vogla, por shumë domethënëse. Çfarë përmban V.G. Image e Guernsey-t? Sa ka paguar Valentino për kështjellën e Wideville-it në Francë? Sa vlen sot jahti i tij T.C. Blue One?
Kush janë trashëgimtarët?
Me shumë gjasë, një testament do ta përcaktojë trashëgiminë, pasi stilisti nuk kishte fëmijë, por një familje të zgjeruar që nis nga krahu i djathtë historik dhe shoku i jetës, Giancarlo Giammetti (83), ish-modeli amerikan Bruce Hoeksema (68) dhe braziliani Carlos Souza, i njohur në Rio në vitin 1973, me bashkëshorten Charlene Shorto de Ganay dhe djemtë Anthony e Sean. Po ashtu, është edhe stërnipin Oscar Garavani (59), ish-model dhe sot dizajner.
Vlera e pasurisë
T’i vihet një vlerë e besueshme trashëgimisë është pothuajse e pamundur, sepse bëhet fjalë kryesisht për pasuri personale dhe private. Pas shitjes së maison-it në vitin 1998 për rreth 500 miliardë lireta, nuk ekziston më një aset korporativ “i fortë” dhe “i matshëm” nga bilancet, siç kanë qenë, për shembull, Fininvest për Berlusconët, Delfin për Del Vecchio-t, Giorgio Armani etj. Në çdo rast, ajo që lë pas Valentino ka vlerë të madhe, por – nga sa del nga dokumentet e konsultuara – është larg niveleve miliardere.
Luksi dhe filantropia
Në Corso Venezia në Milano ndodhet një nga qendrat e gravitetit të perandorisë ekonomike. Nën holdingun Liter, ku inxhinieri Villani zotëron një grusht aksionesh, varen dy shoqëri. E para, Madat, është ajo në emër të së cilës është regjistruar prona romake në via Erode Attico, në kryqëzim me via Appia Pignatelli. Vila ku Valentino festoi 90-vjetorin e tij ndodhet në një park të madh, ka mbi 30 dhoma dhe figuron në bilanc me 1,6 milionë euro – një pjesë e vogël e vlerës reale të tregut.
FVG, shoqëria tjetër nën “çadrën” e Liter-it, është krijuar së fundmi me profil imobiliar, por qëllimi kryesor është menaxhimi i “akademisë së frymëzuar nga stilisti Valentino Garavani”; “organizimi i eventeve, ekspozitave, shfaqjeve të modës… menaxhimi i librarive mbi modën, artin, jetën e Valentinos apo të artistëve e stilistëve të tjerë”; si dhe “menaxhimi i arkivave të modës” të Valentinos ose të artistëve të tjerë. Në thelb, ajo është motori i Fondacionit Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti.
Kostot e luksit
Kostot, sidomos për menaxhimin e vilës, janë të konsiderueshme: vitin e kaluar vetëm për mobilie antike u shpenzuan 81 mijë euro dhe në tre vjet janë akumuluar 2 milionë euro humbje, të cilat Valentino i ka mbuluar. Po trashëgimtarët, çfarë do të bëjnë? Edhe jahti është një luks shumë i kushtueshëm: 46-metërshi TM Blue One, i ndërtuar në vitin 1988 dhe i shlyer nga leasing-u në vitin 1994, i kushton mbi 1 milion euro në vit llogarive të Seaboats. Sot vlen 12,4 milionë euro. Burimi? Një vlerësim i studios teknike të komandantit Alberto Bertacca.
Dokumentet e operacionit Wideville
Xhevahiri i kurorës është Kështjella e Wideville-it, e shekullit XVI, pranë Parisit. E kaluar ndër shekuj nga markezë te kontë dhe nga dukë te baronë, në vitin 1981 u ble nga biznesmeni Jacques Setton, ish-numri një i Pioneer France, dhe bashkëshortja e tij. Pastaj, në janar 1995, sipas dokumenteve origjinale të shitblerjes së fundit, shoqëria holandeze “Lyppens Gift Beheer b.v.”, e përfaqësuar nga Ronald Feijen, blen nga familja Setton për 80,7 milionë franga franceze (12,3 milionë euro sipas kursit të vitit 1999) 100% të Sci Wideville, shoqëria që edhe sot zotëron “Château de Wideville”. Menjëherë pas kësaj, Lyppens – mjeti i përdorur nga Valentino – i kalon një aksion inxhinierit Villani dhe në vitin 2010 transferon përfundimisht 99,9% drejtpërdrejt te stilisti. Sot edhe kjo pronë ka një vlerë shumë më të lartë se shifrat e asaj kohe.
Nga Kanali në Siena
Interesa të tjera financiare të sipërmarrësit çojnë te një shoqëri në Guernsey, V.G. Image, e cila ka financuar blerjen – përmes Antennae srl – të vilës në Toskanë, 74 dhoma, një strehë e mrekullueshme në zonën e Sienës. Valentino dhe Giammetti e kanë mbajtur për një kohë të gjatë rezidencën në Londër, ku ende është aktive shoqëria financiare “Li Ter Ltd”, e menaxhuar nga Feijen, një nga të paktat kompani sot të përbashkëta (me Giammettin në pakicë) mes dy partnerëve historikë të maison-it.
Krejtësisht jashtë radarit mbeten disa prona imobiliare (Valentino nuk ka asgjë të regjistruar personalisht në Itali) dhe, natyrisht, pasuritë personale, veprat e artit dhe investimet financiare. Por është fakt se kudo ku ka një pjesë të pasurisë së Valentinos, shfaqen dy “mbikëqyrësit”: inxhinieri Villani dhe avokati Feijen.
Top Channel