Inside Story/ “Mendonte se nuk kishte baba”, beteja sfilitëse e shtetasit belg për të takuar vajzën që ia mohonin gjyshërit nga nëna shqiptare
Të dhënat tregojnë një panoramë shqetësuese. Vetëm në përmbarimin gjyqësor shtetëror për muajt janar deri në korrik 2025 janë 60 mijë dosje në ekzekutim.
Një pjesë janë për pensionin ushqimor, të tjerë ekzekutim të vendimit të gjykatës për marrjen e fëmijës nga njëra palë, e disa për realizimin e takimeve me fëmijën. Të gjitha rëndojnë mbi supet e brishta të fëmijëve.
“Kam pasur raste që dosjet kanë qenë edhe në shërbim përmbarimor privat 2–3 vite, aty nuk është bërë i mundur ekzekutimi, kanë ardhur në përmbarimin Tiranë e kanë dosjen këtu dhe këtu është bërë e mundur marrja e gjithë detyrimeve të prapambetura dhe pastaj ka vijuar me ekzekutimin periodik, mujor. Kur e kam thërritur debitorin në zyrë më ka thënë nuk i derdh detyrimet sepse i merr lekët ajo për ish-partneren”, u shpreh Majlinda Vasili, përmbaruese gjyqësore.
“Deri në korrik të 2025, përsa u përket pensioneve ushqimore, janë 8247 çështje që kanë këtë objekt, nga të cilat 8108 janë në ekzekutim të vazhdueshëm. Gjithashtu, për takime me fëmijët janë 1415 çështje përmbarimore, ndërsa për kujdestari për fëmijë janë 58 dosje përmbarimore”, u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.
Pensioni ushqimor, i cili është detyrim i njërit prind karshi prindit tjetër për fëmijën, i vendos ata në një betejë të ashpër në dyert e përmbarimit. Ish-bashkëshortët nuk e shlyejnë këtë detyrim, pasi nuk duan t’i japin para ish-bashkëshortes. Në këto kushte ka një procedurë të përcaktuar nga ligji, sipas së cilës bëhet njoftimi dhe i kërkohet prindit të shlyejë detyrimin. Nëse nuk kryhet, bëhet një hetim pasuror. Më pas sekuestrohen pasuritë për t’i nxjerrë në ankand, me qëllim që t’i jepet fëmijës shuma e parave që i detyrohet.
“Vështirësitë më të mëdha janë kur njëri nga prindërit ose pala debitore nuk ka pasuri, qoftë kjo pasuri e luajtshme apo pasuri e paluajtshme; vështirësi është kur njëri nga prindërit nuk është në Shqipëri dhe, pavarësisht hetimeve të herëpashershme që bën përmbaruesi, nuk i gjendet pasuri”, u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.
Prindërit duhet të paguajnë detyrimin për fëmijën deri në moshën 25 vjeç, në rast se fëmija ndjek arsimin e lartë, gjë e cila nuk ndodh. Prindi nuk tregon adresën e saktë të vendbanimit, fsheh të ardhurat dhe pasuritë, madje ka raste që ikën jashtë vendit. Shpesh ata fshehin pasurinë duke ua kaluar familjarëve të tjerë.
“Ata paguajnë një herë, 5 muaj nuk paguajnë, 1 vit nuk paguajnë, rikujtohen pastaj bëjnë një pagesë përsëri, ndërkohë që fëmija shpenzimet i ka mujore”, u shpreh Majlinda Vasili, përmbaruese gjyqësore.
Ministria e Drejtësisë po shqyrton disa propozime që bëjnë fjalë për masa ligjore në rastet kur prindi fsheh të ardhurat apo pronat me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj fëmijëve.
Dhënia e pensionit përbën vetëm një prej vështirësive. Për realizimin e një takimi me fëmijën duhet të angazhohen një përfaqësues nga njësia për mbrojtjen e fëmijës, psikologia dhe përmbaruesi.
Prindi që i drejtohet përmbarimit për takim me fëmijën ose ekzekutim vendimi për marrjen e fëmijës është i detyruar të paguajë një tarifë prej 40 mijë lekësh për psikologen, si dhe 6 mijë lekë për të vënë në lëvizje përmbarimin.
“Ai prind i cili përfiton nga ligji 111 i vitit 2017 për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, që përfiton avokat falas, përfiton përjashtim nga taksat dhe tarifat gjyqësore; të bëhet e mundur me amendim në këtë ligj që të përfitojë edhe përjashtimin nga tarifat e psikologut”, u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.
Kjo pagesë përfshin pjesëmarrjen e psikologes në të gjitha takimet deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve të dyja palëve dhe gjendjen e qetë të fëmijës. Për pjesën më të madhe të rasteve kjo konsiderohet një tarifë e lartë.
“Për ato palë kreditore ose për atë prind i cili nuk ka mundësi për të parapaguar tarifën e psikologut, të ofrohet bonus nga urdhri i psikologut. Pjesa më e madhe e përmbaruesve mundohen që të kenë një bashkëpunim jo vetëm me kreditorin në rastin konkret, por të ketë një bashkëpunim edhe me njësinë e mbrojtjes së fëmijës, ashtu edhe me psikologun, i cili është i detyrueshëm në çdo takim që bëhet ndërmjet palëve për fëmijën”, u shpreh Ergys Qirici, Drejtor i Përmbarimit Shtetëror.
Top Channel