Inside Story/ “Nuk donte ta shihte, jetim me baba”, rrëfimi prekës i nënës: Ai u mohonte fëmijëve bukën e gojës, dhuna psikologjike…

21/01/2026 21:17

Kjo zonjë 36 -vjeçare, vendosi t’i japë fund martesës në vitin 2020 pasi zbuloi se i shoqi e tradhtonte.

Nëna e dy fëmijëve, njëri vetëm 5 muajsh, u kthye në shtëpinë e prindërve. Menjëherë nisi procedurat e divorcit. Gjatë kësaj periudhe, u përball me tentativat e dhunshme të bashkëshortit për t’ia marrë fëmijët.

“Para se të dilte vendimi i gjykatës ai donte ti takonte, të voglin e ka marrë me dhunë. Ishin të dy, e ka gjuajtur të madhin, e ka shtyre. Në atë moment filloj me gjykatat, kam marrë policinë, kërkova urdhër mbrojtje për vete dhe dy fëmijët dhe kjo shkoi 9 muaj”, u shpreh ajo.

Gjykata vendosi që fëmijët t’i mbajë nëna. Në këto kushte u përcaktua që pensionin ushqimor ta paguante babai. Babai refuzon të paguajë për një kohë të gjatë duke e detyruar ish bashkëshorten t’i drejtohet përmbarimit gjyqësor shtetëror.

“Fjala që thotë ai është unë nuk të jap ty lekë domethënë në çdo gjë ai e ka gjithë mllefin me mua dhe ka qenë shumë i sigurt që unë nuk do ia dal sepse nuk do të shkoja nëpër zyra dhe sipas atij ai ka qenë shumë i zgjuar dhe unë nuk merrja vesh”, tha ajo.

Kërcënimet ishin të vazhdueshme. Ndonëse nuk e shprehte përpara ish bashkëshortit, ajo ishte e frikësuar. Kjo është një luftë që nuk ka fund për aq kohë sa janë fëmijët në mes. Ndonëse kanë kaluar 5 vite nga ky divorc, dhe sot ish bashkëshorti është i martuar më një tjetër grua, vijon kërcënimet.

“Kisha parë disa mesazhe që ai komunikonte me vëllain e vet dhe i thoshte që nëse unë e shoh në rrugë për mua do ta djeg me acid. Nuk i intereson fare, unë po punoj që ty të të bëj diçka të keqe për ty dhe do ia arrij qëllimit më tha mua, të keqen e ka me mua, kurse të madhit i tha me ty s’kam punë fare, ne do të bëjmë një bisedë kur ti të jesh 18 vjeç, se tani nuk po sillem keq me ty sepse je i vogël por pasi ti të bëhesh 18 vjeç do të kemi një bisedë serioze dhe atëherë do të të kthehem edhe unë siç je edhe ti”, u shpreh ajo.

Sot, djemtë janë përkatësisht në moshat 5 dhe 15 vjeç. I madhi ka qenë dëshmitar i çdo situate të ndodhur në familje. Marrëdhënia me të atin nuk është e mirë për shkak të paragjykimeve që ka babai. E konsideron të birin sikur mban anën e nënës në konfliktin mes tyre.

“Në fillim kur jemi ndarë unë ia çoja, mendoja që të mbanin një marrëdhënie të mirë të paktën me djalin e madh, sepse kur ka ndodhur pjesa e tradhtisë e ka parë vet djali”, tha ajo.

Është fëmijë pak i ndrojtur dhe filloi të mbyllej në vetvete, nuk donte ta shikonte të atin e shikoja që edhe kur e çoja unë shkonte me zor. Ti bën sipas mamit kurse këtë të voglin do ta marr unë do ta rris unë’, u shpreh.

Ndonëse vitet kanë kaluar, konflikti nuk u zbut kurrë dhe pasojat I vuajnë fëmijët. Përplasja e fundit ishte për të firmosur dokumentet e aprovimit për daljen e fëmijëve jashtë shtetit me nënën. Një moment tensioni në takim që ka shtyrë nënën drejt një tjetër beteje në gjykatë.

“Filloi duke i folur që ty mami të ka bërë vaksinat, ty mami të ka rritur me urrejtje ndaj meje, mbase një ditë do duash të më vrasësh. Me këtë lloj bisede unë do të bëj të pamundurën tani që ky të mos e realizojë takimin me të voglin por as me të madhin dhe në mesazhin e fundit që pasi e dha firmën, i ka shkruar djalit që dhe shko bëj pak not se e ke trupin si femër. Mendoj që do ti drejtohem Gjykatës që do tia ndaloj nuk bëhet fjalë përderisa janë nën kujdestarinë time deri në 18 nuk do të lejoj më që të bëhet ai takim pastaj është zgjedhja e tyre”, tha ajo.

“Sado që të bëj unë, sado që të mos u mungojë gjë atë ndjenjë gjithmonë do ta kenë një mungesë, mendoj ky i vogli nuk e di d.m.th. ai fëmijë do jetë gjithë jetën, unë e quaj jetim, nuk e di si është dashuria e babait nuk e ka ndjerë kurrë”, u shpreh ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB