Gjykata kishte vendosur që fëmija t’i kthehej babait, një shtetasi belg që dikur ishte martuar me një grua shqiptare. Kjo e fundit e mbante padrejtësisht fëmijën, duke i mohuar babain. Një histori e komplikuar që angazhonte për herë të parë edhe institucione të huaja në një praktikë të tillë.
“Shtetasi belg, i cili ishte në rastin e kreditorit, me një kërkesë vuri në lëvizje përmbarimin shtetëror sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, në mënyrë që të bëhej i mundur kthimi i fëmijës së mitur 5 vjeç në shtetin belg. Kjo sipas Gjykatës së Apelit që e kishte vendosur këtë dispozitë, por si masë të përkohshme me ekzekutim të menjëhershëm”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
Gjatë kësaj kohe, vajza jetonte me gjyshin dhe gjyshen. Ajo ishte e izoluar tërësisht dhe nuk komunikonte me askënd tjetër. Ndikimi ishte aq i madh saqë e mitura mendonte se nuk kishte baba, por vetëm nënën dhe gjyshërit. Sfida për ta kthyer atë te babai ishte e madhe dhe kërkonte ndërtimin nga e para të një praktike pune që ndodhte për herë të parë në vendin tonë.
“Ne në këto raste jo vetëm që duhet të ekzekutojmë vendimin gjyqësor sipas dispozitave të Kodit Civil, por mbi të gjitha duhet t’i përshtatemi dhe t’i përmbahemi Konventës së Hagës mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
“Parashikon se autoriteti qendror, në rastin konkret Ministria e Drejtësisë, do të ishte ajo që do të ndërmerrte masat dhe do të bashkërendonte të gjitha veprimet e përmbaruesit. Kjo do të thotë se të dy shtetet duhet të hartonin një plan masash në mënyrë që të bëhet kthimi i sigurt i fëmijës në Belgjikë”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
Procedura që ndiqet mbetet e njëjtë: fillimisht njoftimi për takim vullnetar, që nuk u realizua kurrë. Marrjen e kontaktit e vështirësonte edhe adresa e panjohur e qëndrimit të fëmijës, siç ndodh rëndom.
“Ne kemi shkuar disa herë në adresën që na është dhënë nga gjendja civile, ku ndodhej e ëma me fëmijën, por që asnjëherë nuk kemi gjetur njeri në banesë. Është bërë i mundur lokalizimi i fëmijës nga komisariati i policisë të zonës ku banonte fëmija, që mbahej nga gjyshërit. Menjëherë është njoftuar policia, psikologu, njësia për fëmijët…”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
Përmbaruesja që ndiqte rastin nuk u takua asnjëherë me nënën dhe fëmijën, por vetëm me avokatin e tyre, i cili nuk u tregua bashkëpunues. Madje ndërmori hapa që të pengonte apo zvarriste këtë proces. Ndalimi i nënës nga autoritetet belge i hapi rrugë ekzekutimit të vendimit.
“Në muajin shkurt të 2025 pala debitore është ndaluar nga autoritetet belge pikërisht për mosekzekutimin e këtij vendimi, pra moskthimin e fëmijës në shtetin belg. Në këto kushte u evidentua se fëmija mbahej në mënyrë të padrejtë nga gjyshërit”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
Duke qenë një fëmijë i izoluar, ekipi që do të kryente këtë ekzekutim vendimi kishte frikë se si do të reagonte vajza përballë tyre, pasi ata ishin të panjohur për të.
“Fëmijën e kemi gjetur në banesë, pasi pas disa tentativave dhe bashkëbisedimeve me gjyshin ka mundur të hapë derën. Vajza është gjetur shumë e qetë, është gjetur sociale, ka arritur të bashkëveprojë me të gjitha instancat dhe strukturat shtetërore, edhe pse nuk do ta mohoj këtë fakt, ka qenë shumë e ndikuar dhe ndikimi edhe në këto procese ka qenë shumë i avokatit që ka tentuar të bllokojë procesin, gjithashtu edhe nga gjyshërit e vajzës”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
Marrja e vajzës nga ai ambient që cilësohej si shtëpia e saj ishte e vështirë. Prandaj nevojitej një formë e re trajtimi, në mënyrë që psikologjia e saj të mos dëmtohej, por edhe takimi me të atin të zhvillohej larg ndikimeve të mundshme nga persona të tjerë. Për këtë u vendos që fëmija, së bashku me gjyshen, të zhvendoseshin në fshatin SOS për të pritur babain.
“Që fëmija të mos pësonte trauma emocionale, sepse ishte e rritur dhe ishte e lidhur me familjarët e saj, me gjyshin dhe me gjyshen, është vendosur që fëmija të akomodohet së bashku me gjyshen në fshatin SOS. Është njoftuar nga autoritetet tona shtetasi belg, i cili ka ardhur në një afat shumë të shkurtër kohor nga Belgjika, në mënyrë që të bëhej takimi i tij me vajzën”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
Kur shtetasi belg u shfaq përpara vajzës, ajo nuk e njohu. Divorci kishte ndodhur kur ajo ishte 2 vjeçe, ndërsa vajza ishte 5 vjeçe në momentin e ritakimit. Babai i ka treguar vajzës kujtimet nga e shkuara, kur të tre së bashku jetonin në Belgjikë, në mënyrë që t’i tregonte se ai është pjesë e jetës së saj.
“Në momentin e parë që vajza ka parë të atin, ka pasur një tronditje, sepse nuk e njihte; ishte dy vjeçe kur u ndanë, sot ishte 5. I ati ka hapur fotografitë nga telefoni, kujtimet që kishin kur ishin të tre së bashku para prishjes së marrëdhënies së tyre, pasi kanë jetuar në shtetin belg të tre së bashku, dhe aty vajza ka njohur ambientin ku është rritur, ka njohur të atin. Aty filloi një marrëdhënie shumë e bukur dhe unë e kam edhe vetë të ruajtur në telefon se si një marrëdhënie e tillë, nga 3 vite që ishte e shuar, vajza arriti të kujtonte dhe i tha: ‘Po, ti je babai im’”, u shpreh Loren Xhymreti, përmbaruese.
Kjo dosje u regjistrua në vitin 2023 dhe u arrit të ekzekutohej vendimi në 2025. Rasti konsiderohet si arritje, pavarësisht vonesave.