Inside Story/ Denoncimi prekës: Gjykata ia dha kujdestarinë nënës, por fëmijën e vunë kundër saj, kontradiktat e raporteve…

21/01/2026 21:38

Në redaksinë e Inside Story kanë mbërritur dhjetëra denoncime që lidhen me refuzimin e prindërve për të paguar pensionin ushqimor për fëmijën apo për të zhvilluar takimet sipas vendimeve gjyqësore.

Për të shmangur thellimin e dramës, ata nuk preferojnë të identifikohen. Tipologjitë e shkeljeve janë nga më të ndryshmet. Shtetasja me inicialet N.I. është divorcuar dhe gjykata i ka dhënë kujdestarinë e dy fëmijëve.

Ky vendim nuk është ekzekutuar. Ish-bashkëshorti mban me forcë njërin fëmijë. Raporti i psikologes thotë se fëmija nuk dëshiron të shkojë të jetojë me nënën. Ky është rasti tipik që njihet si alienim/ndikim i prindit apo i të afërmit të fëmijës te fëmija. Sindromi i Alienimit Prindëror është një çrregullim në të cilin fëmijët, të programuar nga prindi gjoja “i dashur”, nisin një fushatë denigrimi të prindit të pretenduar “të urryer”. Vihet re se e mitura flet me fjalët e babait kundrejt nënës. Shpreh urrejtje ndaj saj, ndërsa të atin e konsideron si shpëtimtar.

Inside Story u interesua në të gjitha institucionet për këtë rast dhe rezulton se ndaj ish-bashkëshortit të saj, në Prokurorinë e Elbasanit, janë të regjistruara 3 kallëzime penale. Një për dhunë në familje, një për mosshlyerjen e detyrimit financiar ndaj fëmijës dhe një për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës, ku fëmija ka të përcaktuar nënën kujdestare ligjore të të dy fëmijëve. Ajo çka është e dyshimtë në këtë çështje është raporti i psikologut që thotë se “fëmija nuk dëshiron të jetojë me nënën”, ndërkohë që, referuar të dhënave, rezulton se ndaj kryefamiljarit ka edhe një kallëzim për dhunë.

“Marrin përsipër që të bëjnë ata mbrojtësinë e prindërve të tyre, pra unë po zgjedh të rri me këtë prind se kështu po ndihmoj atë tjetrin që mos të ketë debate, që ndoshta të mos dhunohet, që mos të diskreditohet”, u shpreh Eriona Hoxha, psikologe klinike.

Çuditërisht, raportet e psikologëve për të njëjtin rast kanë dhënë rezultate e rekomandime të ndryshme. Gjykata, duke parë se lidhja mes dy vajzave dhe nënës është e fortë, ka vendosur që t’ia lërë kujdestarinë nënës, kjo e faktuar edhe në raportin e psikologut. Ndërsa babai shpreh interes vetëm për vajzën e madhe.

Në raste të tilla, kur ka një raport të tillë të psikologes së fëmijës, pra që tregon se i mituri nuk dëshiron të jetojë me nënën, përmbaruesi gjyqësor nuk mund të ekzekutojë vendimin. Çdo vonesë në hetimet për tre veprat penale cenon sigurinë dhe ngre dyshime të arsyeshme për presionin e mundshëm që ushtrohet ndaj fëmijës. Vetëm nëse prindi mbahet përgjegjës për veprat penale, mund t’i hapë rrugë ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

“Unë isha e qartë me veten se fëmijët absolutisht do t’i mbaja unë, në çfarëdo lloj kushtesh. Nga babai i fëmijëve nuk është se pati ndonjë insistim për t’i mbajtur fëmijët. Në Gjykatë, në një moment e tha, por m’u duk më shumë si fjalë goje, jo se ishte ndonjë dëshirë, se nuk është se bëri ndonjë përpjekje.”

Fëmijët, njëri 4 vjeç dhe tjetri 6, e përjetuan keq ndarjen e prindërve. I madhi, duke kuptuar më mirë situatën, shfaqi probleme emocionale, të cilat i menaxhuan së bashku me nënën deri në normalizimin e plotë. Kjo ndodhi për shkak se, padashur, u bë dëshmitar i shumë skenave të dhunshme të prindërve të tij.

“E vështirë, e përjetuan keq. I madhi, duke qenë se ishte më i rritur, pësoi një mbyllje emocionale, i vogli e përjetoi me agresivitet. I madhi pa shumë skena, shumë gjëra dhe u mbyll, edhe sot është më i mbyllur nga ana emocionale.”

Pas divorcit, babai i ka takuar rregullisht fëmijët. Nëna nuk e ka ndaluar në asnjë moment që ai ka shprehur dëshirën për të qenë pranë tyre. Por, nga ana tjetër, ai ka refuzuar të shlyejë detyrimin ushqimor për fëmijët. Detyrimi i përcaktuar nga gjykata ishte 16 mijë lekë të rinj në muaj për të dy fëmijët.

“I ka takuar rregullisht, thuajse çdo fundjavë, kur ka pasur mundësi ai, se nuk kam pasur për qëllim asnjëherë që t’ia ndaloj. Për sa i përket anës monetare, nuk ka qenë aq korrekt derisa gjëja erdhi në përmbarim. Një herë nuk ka mundësi, një herë nuk ka lindur ai njeri që të më vendosi mua kushte, unë do t’i jap kur të dua unë, jo se ka vendosur gjykata.”

“Mund të jepte diçka të vogël sipas dëshirës së tij, shumë pak në krahasim me çfarë ka vendosur gjykata, ose tek-tuk një lodër, një rrobë, diçka, por jo atë që duhej të jepte.”

Ajo vendosi t’i drejtohej përmbarimit shtetëror për të kërkuar atë që i takonte fëmijëve të saj me vendim gjykate. Kjo solli një konflikt të ri, pasi nëna u përball me kërcënimet e ish-bashkëshortit.

“Nuk e priti mirë. Në momentin që i vajti letra që duhet të jepte detyrimin, mori në telefon me ca presione: ose tërhiqe ato, ose s’e kemi mirë punën bashkë, ti më njeh mua kush jam, ti i di nervat e mia, mos më bëj të dal nga vetja, saqë arrita në një moment që realisht, edhe pse nuk ia shpreha atij, kisha frikë. I thashë përmbarueses që ndoqi çështjen: a të tërhiqemi më mirë? Jo, tha absolutisht. Nëse të merr, thuaji që unë nuk kam asgjë në dorë, fol me Majlindën.”

“Pjesa më e madhe refuzojnë të paguajnë, nuk e kanë ndërgjegjen në radhë të parë, sepse përpara se të ndërhyjë ligji në këto marrëdhënie duhet të ndërhyjë vetë familja, se bëhet fjalë për marrëdhënie familjare”, u shpreh Majlinda Vasili, përmbaruese gjyqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB